Mehani reagon ndaj Kajtazit: turpi të mbuloftë, unë nuk jam Vehbi Kajtaz, që njëherë i akuzonte njerëzit e UÇK-së për krime, e tash bëhet se kishe po i dhimbsen

Kandidati për kryetar të Komunës së Skenderajt nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Hysni Mehani i ka reaguar ashpër gazetarit Vehbi Kajtazi pasi që Kajtazi nëpërmjet një postimi në Facebook ka sulmuar kryeministrin në detyrë duke e pyetur se “A ki me thane naj sen per floket e zotit Mehana? Apo per banesen e tij? duke e akuzuar Mehanin se gjoja ka përfituar banesë në mënyrë të dyshimt

Reagimi i Hysni Mehanit nuk ka vonuar. Ai ka hedhur poshtë kategorikisht akuzat, duke i cilësuar si shpifje dhe sulm ndaj dinjitetit të tij personal dhe integritetit si kandidat. Në një reagim publik në Facebook, Mehani shkruan:

“Turpi të mbuloftë Vehbi Kajtazi! Po ti nuk ke turp, sepse ke hequr dorë qysh moti nga të qenurit njeri…”

Ai theksoi se nuk ka përfituar kurrë nga askush dhe jeton me të ardhurat si këshilltar komunal, duke ndarë një shtëpi familjare me vëllezërit e tij, ndërkohë që përmendi edhe sakrificat personale për të ruajtur pavarësinë dhe pastërtinë në jetën politike.

Mehani u shpreh gjithashtu se nuk ka lidhje me Sami Lushtakun, duke e akuzuar këtë të fundit për përvetësim pronash dhe frikësim qytetarësh.

“Unë nuk jam mall që shitem e as që blihem. E as nuk kam dinjitet e integritet për pazare. Ata që provojnë të më godasin kaq ulët, bazohen në përvojat e tyre, në veten e tyre, në qenien e tyre të mjerë. Unë nuk e njoh një Sami Lushtak që po u bleka banesë njerëzve – e njoh një Sami Lushtak që u merr prona të tjerëve, që i zhvat e i frikëson”

Mehani ka thënë se ai nuk është Vehbi Kajtaz që dikur i akuzonte publikisht njerëzit e UÇK-së për krime ndërsa tani bëhet kinse po i dhimbsen.

“Për këtë betohem në kokën e fëmijëve të mi, të cilat po i vuajnë pasojat pse babai i tyre nuk po thyhet, e nuk do të thyhet deri sa të ketë frymë. Ama unë jetoj i lumtur, me zemrën plot dashni, sepse kurrë në jetën time nuk ia kam bërë asnjë dëm vendit tim, përveç përpjekjes për ta mbrojtur interesin qytetar. Unë nuk jam Vehbi Kajtaz, që njëherë i akuzonte njerëzit e UÇK-së për krime, e tash bëhet se kishe po i dhimbsen. Ata që derdhin lot krokodili, nxjerrin vrerë ndaj kujtdo që ka dinjitet e nuk bëhet viktimë e tyre.” ka shkruar mehani në postimin e tij në facebook.