“Zinxhir frike” në Serbi; Vuçiq po prek fundin!

Në atë që përshkruhet si “zinxhir frike”, qindra qytetarë nga e gjithë Serbia kanë raportuar shantazhe sistematike nga strukturat e Partisë Progresive Serbe (SNS), të drejtuar nga Aleksandar Vuçiç, për të detyruar punonjës të sektorit publik të marrin pjesë në mitingje dhe aktivitete partiake.

Lëvizja qytetare Kreni-Promeni, e cila ka grumbulluar dhe verifikuar këto denoncime, paralajmëron se fenomeni është i përhapur dhe i strukturuar, veçanërisht në shëndetësi, arsim dhe ndërmarrjet publike.

Zëdhënësi i lëvizjes, Nikola Stanković, ka deklaruar për gazetën ‘Danas’ se “qindra dëshmi të dokumentuara tregojnë për një krizë serioze të demokracisë dhe të drejtave të punonjësve”. Sipas tij, qytetarët janë kërcënuar me largim nga puna, mospërtrirje të kontratave, ulje page ose transferime të detyruara, nëse refuzojnë të marrin pjesë në aktivitetet e SNS.

Një rast nga Klinika Universitare e Vojvodinës tregon se presioni filloi sapo punonjësit filluan të kundërshtonin heshturazi përfshirjen politike. Administrata shpërndau një “kodeks sjelljeje” për të kontrolluar sjelljen politike të stafit, ndaloi çdo simbol proteste dhe lejoi vetëm shprehje të hapura në mbështetje të Vuçiçit. Ndërkohë, drejtoresha e institucionit vetë merrte pjesë në aktivitetet kundër protestave qytetare.

Lëvizja Kreni-Promeni ka paralajmëruar se do t’i dërgojë një raport të plotë organizatave ndërkombëtare si OSBE/ODIHR, duke kërkuar hetim urgjent dhe mbrojtje për qytetarët që përballen me represion politik.

Ky zhvillim vjen në një klimë politike gjithnjë e më të tensionuar në Serbi, ku pushteti i Vuçiçit përballet me rritje të pakënaqësisë dhe protesta të përsëritura qytetare. Ajo që po ndodh në sektorin publik është vetëm maja e ajsbergut: një sistem ku frika, shantazhi dhe varësia ekonomike shndërrohen në mjete për të prodhuar pjesëmarrje politike të detyruar dhe për të ruajtur fasadën e mbështetjes popullore.