Një ngjarje tragjike ka tronditur komunitetin e alpinistëve dhe ndjekësit në rrjete sociale. Influencuesi i njohur për pasionin e tij ndaj alpinizmit, Balin Miller, vetëm 23 vjeç, humbi jetën gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë.
Miller po ngjitej në El Capitan, formacionin e famshëm shkëmbor në Parkun Kombëtar Yosemite në SHBA, kur ndodhi aksidenti fatal. Vdekja e tij u konfirmua nga nëna, Jeanine Girard-Moorman, e cila me një mesazh prekës në “Facebook” shprehu dhimbjen e thellë për humbjen e djalit:
“Ai nisi ngjitjet që kur ishte fëmijë. Zemra dhe shpirti i tij ishin vetëm për këtë pasion. Nuk kishte të bënte me paranë apo famën, por me dashurinë për ngjitjen. Me zemër të thyer më duhet të them se djali im i mrekullueshëm, Balin, vdiq gjatë një aksidenti ngjitjeje. Zemra ime është copëtuar në një milion pjesë. Nuk e di si do ta përballoj. E dua shumë dhe do të doja të zgjohem nga ky makth.”
Sipas dëshmive, Miller kishte arritur majën e shkëmbit, por u detyrua të kthehej për të marrë çantat e tij që kishin ngecur. Teksa po përpiqej t’i ngrinte lart, ai humbi ekuilibrin dhe u rrëzua.
Pamjet e transmetimit “live” tronditën mijëra ndjekës, të cilët u bënë dëshmitarë të momentit fatal. Një nga fanset, Michelle Derrick, shkroi:
“Ai arriti majën, por duhej të merrte çantat që kishin ngecur. Gjatë përpjekjes humbi ekuilibrin dhe ra. Të gjitha këto ndodhën para syve tanë, në transmetim të drejtpërdrejtë.”
Tragjedia e Balin Miller ka prekur thellë komunitetin e alpinizmit dhe ngriti sërish pikëpyetje mbi rreziqet ekstreme të sporteve të aventurës, veçanërisht kur ato ndahen në kohë reale në rrjetet sociale.