“S’kam frikë”, “Ishalla s’më mundon shumë Zoti” – kur Petrovci fliste për problemet shëndetësore e vdekjen

Vdekjen, që i erdhi sot në moshën 71-vjeçari, aktori Enver Petrovci nuk ngurronte ta përmendte.

Para katër vjetësh, kur vdiq regjisorja Burbuqe Berisha, Petrovci e kujtonte jetën e saj, por edhe fundin, sikurse e përmendte edhe fundin e tij. Thoshte se do të donte të vdiste sikurse ajo.

“Edhe pse ka pasë shumë vuajtje për shkak të sëmundjes së saj, ka shku lehtë. Se duhet me shku, në një apo tjetrën formë. Ka shku shpejt, ka shku siç ka jetu – si zojë. Kisha pasë dëshirë edhe unë me shku si ajo. Ishalla nuk më mundon shumë Zoti”, thoshte aktori.

Petrovci vetë kishte pasur shumë probleme shëndetësore. Në një intervistë në “Zonë e Lirë”, në tetor të vitit 2017, ai tregonte se i ishin “mbyllë venat në të gjithë trupin”.

Atë vit, ai thoshte se u ishte nënshtruar shtatë operacioneve. Edhe në zemër, tregonte se i kishte “dy stenta”.

Por vazhdonte: “S’kam frikë nga vdekja”.

Pavarësisht problemeve shëndetësore, atëherë thoshte se s’kishte ndryshuar asgjë te vetja.

“E kam edhe një operacion, por s’është i rrezikshëm. Por, edhe me shku, punë e madhe”, thoshte ai.

Tregonte gjithashtu se kishte nisur ta shkruante një libër me kujtime nga jeta e tij.