Një detaj që tërhoqi vëmendjen gjatë përballjes mes Anthony Joshua dhe Kristian Prengës ishte mungesa e logos së Gisada në veshjet e kampionit britanik. Pas shumë pyetjeve dhe spekulimeve, themeluesi i kompanisë, Arben Ademi, ka sqaruar publikisht arsyet e këtij vendimi.
Sipas tij, zgjedhja për të mos sponsorizuar këtë meç lidhej me faktin se kundërshtari i Joshua ishte boksieri shqiptar Kristian Prenga, ndërsa vendimi u mor si shprehje e krenarisë për origjinën shqiptare, duke theksuar se partneriteti me Anthony Joshua vazhdon të mbetet i fortë dhe i pandryshuar.
KY ËSHTË POSTIMI I TIJ:
Deklaratë
Shumë prej jush na kanë pyetur pse logoja e Gisada nuk ishte në veshjet e Anthony Joshua në meçin e 25 korrikut kundër Prenga.
Anthony Joshua është ambasadori ynë global dhe fytyra e parfumit Gisada Titanium. Zakonisht ai lufton me logon tonë.
Por kësaj here kundërshtari ishte një boksier shqiptar.
Si pronar i Gisada-s, unë, Arben Ademi, jam krenar për origjinën time shqiptare. Për këtë arsye vendosëm që të mos e sponsorizojmë këtë meç. Nuk do të ndiheshim mirë nëse marka jonë do të shihej duke mbështetur një ndeshje kundër një shqiptari.
Ky vendim nuk është kundër Anthony Joshua, me të cilin vazhdojmë të kemi një partneritet të shkëlqyer dhe për të cilin kemi respekt të madh. Ishte thjesht një vendim që buron nga zemra dhe nga krenaria jonë për rrënjët tona shqiptare.
I urojmë sukses dhe shëndet të dy sportistëve. Sporti duhet të bashkojë njerëzit dhe ne do të vazhdojmë ta mbështesim këtë frymë.
