Pas raportimit lidhur me tenderin për riparimin dhe testimin e valvave siguruese në blloqet B1 dhe B2 të Termocentralit “Kosova B”, ku fitues është shpallur konsorciumi UNIVERS-M SH.P.K. dhe ICI doo, Ministria e Ekonomisë është deklaruar duke u distancuar nga procesi i prokurimit.
Në një përgjigje për lajmi.net, Ministria e Ekonomisë ka theksuar se nuk është autoritet përgjegjës për proceset operative të tenderëve në ndërmarrjet publike, përfshirë edhe Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).
“Në përputhje me Ligjin për Ndërmarrjet Publike, Ministria e Ekonomisë (ME) nuk merr pjesë në menaxhimin e drejtpërdrejtë të ndërmarrjeve, përfshirë procesin e prokurimit apo marrjen e vendimeve të tenderëve. Roli kryesor i ME-së është monitorimi i punës së bordeve dhe rrjedhimisht performancës së ndërmarrjeve publike në përgjithësi”, thuhet në përgjigje.
Sipas ME-së, për çështje të tilla operative, duhet të pyetet vetë KEK-u, si autoriteti kontraktues, i udhëhequr nga Kryeshefi Ekzekutiv, Gramos Hashani.
Çfarë ka ndodhur me tenderin në fjalë?
Tenderi i shpallur nga KEK ka vlerën 137,316.60 euro dhe është fituar nga Grupi i Operatorëve Ekonomik UNIVERS-M SH.P.K. dhe ICI doo, kjo e fundit një kompani me seli në Beograd të Serbisë.