Albion Rrahmani njeriu i momentit – Gjunjëzohen futbollisti serb dhe tifozët pro-serb të Spartës

6 gola në 406 minutat e tij të fundit në fushë ndryshuan gjithçka tek Sparta e Pragës.

Albion Rrahmani shënoi edhe mbrëmë ndaj Riga FC në kualifikimet e Conference League, mirëpo më shumë se sa goli la përshtypje ajo që ndodhi më pas.

Futbollisti serb, Veljko Birmancevic, i cili në Euro2024 së bashku me bashkëlojtarët e tij të kombëtares në zhveshtore dëgjonin këngë shoviniste që paraqitnin Kosovën si tokë serbe ishte ndër të parët që shkuan për ta përqafuar sulmuesin nga Kosova pas golit të shënuar.

Gjithsesi kjo nuk ishte e tëra sepse pas përfundimit të ndeshjes, Albioni i bëri edhe fansat pro-serb të Spartës të festonin bashkë me të dhe ta duartrokitnin për atë që po i sjellë ekipit, raporton KlanKosova, transmeton Periskopi.

Kujtojmë që në dhjetorin e kaluar, fansat e Spartës kishin dalë me mesazhin “Support for Birma” dhe dhjetëra banderola që paraqitnin Kosovën si pjesë të Serbisë.

Kjo kishte ndodhur, pasi klubi i Spartës kishte lënë jashtë listës për ndeshjet e kampionatit futbollistin serb, i cili raportohej se ka pasur probleme me drejtuesit e klubit, përshkak se tek Sparta paraqiteshin shumë futbollistë shqiptarë.

Një gjë është e sigurt, nëse forma fantastike e Albion Rrahmanit vazhdon, tifozët e Spartës dhe bashkëlojtari i tij serb, nuk do kenë zgjidhje tjetër pos t’i festojnë sukseset e bomberit nga Kosova./Periskopi/