Të mërkurën u mbajt një seancë pas publikimit përfundimtar të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, por edhe kësaj here nuk arriti të formohet qeveria dhe kryesia e Kuvendit të Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje, duke respektuar vendimin e gjykatës, ndryshoi kandidaturën për kryetar të Kuvendit, duke propozuar fillimisht deputeten Albulena Haxhiu, e cila nuk siguroi votat e nevojshme për t’u zgjedhur.
Më pas, kandidatura iu dha deputetes Donika Gërvalla, por as ajo nuk arriti të marrë shumicën e votave.
Kjo situatë ka krijuar një ngërç të ri politik dhe po kërkohet zgjidhja përmes organizimit të zgjedhjeve të reja parlamentare.
Fillimisht, njohësi i çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi, ka folur për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke deklaruar se nuk ka rol krijues, por është ruajtëse e normave kushtetuese.
ImageMuhamet KelmendiFoto galeri
Sipas tij, vetëm Kuvendi i Kosovës ka kompetencën për të ndryshuar apo nxjerrë norma të reja ligjore dhe kushtetuese.
“Gjykata Kushtetuese, nga detyrat kushtetuese që i ka, është ruajtëse e normave kushtetuese, por kurrsesi krijuese e normave të tilla juridike.
Kompetencat për të ndryshuar normat juridike ose për të nxjerrë norma të reja ligjore dhe kushtetuese i ka vetëm Kuvendi i Kosovës, si organ ligjvënës.
Shumë kemi pritur se do të dalë ndonjë zgjidhje nga Gjykata Kushtetuese, kuptohet e drejtë. Mirëpo, nga ato që ka nxjerrë në dritë, si dhe nga vetë aktgjykimi, nuk del një zgjidhje kushtetuese e gjendjes së krijuar.
Mosguximi për të shprehur dhe analizuar drejt e qartë gjendjen, çdo herë në bazë të Kushtetutës – si në vitin 2014, kur nxori vendim dhe i dha të drejtë të pakontestuar subjektit të parë si subjekt që e nxjerr Kryetarin e Kuvendit – edhe tash bëri të njëjtin gabim, vetëm në kundërshtim me verdiktin e vitit 2014”, ka thënë ai.
Gjithashtu, Kelmendi ka kritikuar ashpër aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Ai ka theksuar se disa nga vendimet e Gjykatës janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe parimet demokratike.
“Nga aktgjykimi askush nuk sheh një zgjidhje.
Thuhet:
“Urdhërohen të marrin pjesë në Kuvend të gjithë deputetët e zgjedhur.”
Kjo është një urdhëresë anormale dhe në kundërshtim me të drejtat dhe detyrat e deputetëve të zgjedhur në Kuvend.
Urdhërohet subjekti i parë në Kuvend:
“Që kandidati për Kryetar të paraqitet për votim vetëm tri herë.”
Kjo është një normë e re kushtetuese, sepse me Kushtetutë nuk është e sanksionuar se sa herë mund të paraqitet për Kryetar të Kuvendit një kandidat apo kandidate.
Dhe, shkelja më e rëndë bëhet kur vendos Gjykata:
“Në Kuvend për Kryetar/re votohet vetëm në formën e votimit të hapur.”
Këtu, dhe me këtë vendim, është shkelur forma më demokratike e votimit – mënyra e fshehtë në Kuvend, etj.
Këtu nuk ka se çka diskutohet”, ka shpejguar ai.
Tutje, Kelmendi ka shtuar se në situatën e krijuar, forma dhe mënyra më demokratike është shkuarja në zgjedhje të reja dhe të jashtëzakonshme
“Mirëpo, në kundërshtim me të gjitha vërejtjet, duhet që subjektet politike dhe deputetët në Kuvend ta respektojnë dhe ta zbatojnë, nëse munden, aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
Kjo është ligjore.
Megjithatë, dua të theksoj se, në situatën e krijuar, forma dhe mënyra më demokratike, e kapshme dhe e lejueshme ligjërisht, është shkuarja në zgjedhje të reja dhe të jashtëzakonshme.
Kjo e zgjidh gjendjen dhe, me siguri, krijon një konstelacion të ri të rezultateve, duke dhënë mundësi të ndërtimit të organeve të pushtetit. Kështu duhet vepruar”, ka përfunduar Kelmendi.