Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon ka reaguar ndaj deklaratave të eurodeputetes franceze të ekstremit të djathtë, Dominique Bilde, e cila tha se Kosovës nuk duhet t’i liberalizohetn vizat e as t’i lejohet anëtarësimi në BE.
Në një postim në Twitter Von Cramon i ka replikuar eurodeputetes franceze duke i thënë se fatmirësisht shumica e eurodeputetëve e përkrahin Kosovën dhe përpjekjet e saj për bashkëpunim me BE-në.
“Fatmirësisht, shumica e kolegëve tanë në Parlamentin Evropian, janë shumë më të dijshëm dhe përkrahim Kosovën në përpjekjet për bashkëpunim me BE-në. Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe qytetarët e saj e meritojnë sikur të gjithë evropianët tjerë të lëvizin lirshëm”, ka shkruar Cramon.
Eurodeputetja franceze e ekstremit të djathtë, Dominique Bilde është shprehur kundër liberalizimit të vizave për Kosovën si dhe anëtarësimit të saj në BE. Në një postim në rrjetet sociale Bilde shkruan se në Parlamentin Europian u diskutua çështja e Kosovës ku në përfundim u miratua një rezolutë ku thuhej se dialogu Kosovë-Serbi duhet të mbyllej me njohje reciproke.