Abrashi: Vetëvendosje është e vetmja që po reflekton

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, pas dështimit të përpjekjes së 49-të për konstituimin e Kuvendit ka thënë se nuk është vetëm detyrë e partisë së tij ta mbajë barrën e stabilitetit politik dhe institucional në vend.

“A është barrë vetëm e VV-së me e krijuar konsensusin e nevojshëm? A është vetëm detyrim i VV stabiliteti politik dhe institucional i Kosovës? Nuk ka problem, ne e marrim me përgjegjësi më të madhe këtë barrë”, tha ai.

Ai fajësoi partitë tjera për mos reflektim.

“Neve po na vjen keq që jemi të vetmit që po reflektojmë”, tha ai.

Ai tha se jo veç me Limajn, por janë të gatshëm të takohen edhe me parti të tjera.

“Takimet me përfaqësuesit e partive politike dhe grupeve parlamentare, VV-ja është duke i bërë vazhdimisht. Jo sot, por edhe dje, edhe pardje, edhe nesër. Me Limajn sigurisht, por edhe të tjerë që shprehin vullnet dhe gatishmëri,” tha Abrashi.