Çka tha gjenerali amerikan për Millosheviqin? – Tregon shqiptari që i ndihmoi NATO-s ta bombardonte Serbinë

Në vitin 1999, Departamenti Amerikan i Shtetit, po kërkonte një përkthyes.

Ky, duhet t’i kthente informatat e terrenit, nga gjuha shqipe në atë angleze.

Për këtë detyrë, u paraqit, Ajaz Emini nga Kumanova.

“Rastësisht më treguan që Departamenti i Shtetit kërkonte përkthyes. Unë u paraqita dhe menjëherë më morën. Pas një javë, fillova me Forcat Speciale Amerikane dhe lëvizëm në Kukës, ku ishim në repartin e gjeneralit, Kudusi Lame. Nga ky repart, bënim koordinimin e bombardimeve të NATO-s. Informatat i kemi marrë nga grupi vëzhgues i UÇK-së në Kosovë”, thotë Emini.

Në këtë formë, kishin filluar përgatitjet për bombardimin e caqeve serbe.

Këta të fundit, po kryenin krime lufte në Kosovë.

Por, çdo minutë deri në nisjen zyrtare të operacionit, dukej i madh.

“Ata ishin të vendosur që këmbësoria të futej në Kosovë. Në realitet, derisa po bënim koordinimin e raketave, disa herë është numëruar, 10, 9, 8, e deri në 0. Pra në zero të lëshohej raketa. Në fund na thonin ishte provë. Ushtarët mërziteshin, thoshin ne kemi ardhur këtu me krye punë, jo në pushime. Pra, ishin të vendosur sa më shpejt të kryhej kjo punë”, tregon ai.

Shqiptari që e ndihmon NATO-n ta bombardonte Serbinë, tregon sa ishin të vendosura forcat amerikanë në këtë mision.

“Gjenerali arbresh-amerikan, John Hendrix, me të cilin kemi pasur bashkëpunim direkt, ai më tha personalisht që dëshira më ë madhe është të futemi më këmbësori dhe vet të shkoj deri në Beograd e ta kapi Millosheviqin e ta shqelmoj!”, tregon Emini fjalët e gjeneralit amerikan.

E momenti i shumëpritur, erdhi në mbrëmjen e 24 marsit të vitit 1999.

Për 78 ditë, u bombarduan bazat e ushtrisë serbe në Kosovë, Mal të Zi e Serbi.

“Koordinatat që na i jepnim, ne edhe merrnim përgjigjen nga NATO-s që u qëllua dhe ishte i suksesshëm dhe pas çdo bombardimi ne festonim”, thotë ai.

Ajaz Emini, që jeton në SHBA, i emocionuar, kujton edhe momentin kur bashkë me forcat e NATO-s, hyri në Kosovën e lirë.

“Gjatë rrugës për Gjilan, nuk më kujtohet emri i fshatit, kishin dalë fëmijë, pleq, të rinj. Festonin, bërtisnin NATO-NATO, ishin emocione shumë të forta”, shprehet ai.

Bombardimet e NATO-s, zgjatën deri më 10 qershor, të vitit 1999.