Sindikata e Re e KEK-ut ka postuar një video, ku një punëtor shihet duke dalë nga brendësia e kaldajës së Bllokut A5. Këto pamje, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, i ka quajtur “heroi i kazanit, turpi i qeverisë”.
Ajo alarmon se si punëtori në fjalë del “me rrobat e shqyera dhe pa asnjë pajisje mbrojtëse, në kushte tepër të rënda, duke rrezikuar jetën”, përcjell Periskopi.
“Punëtori në video dhe qindra si ai përkundër vështirësive, punojnë pa ndalë që vendi të mos zhytet në terr, derisa tenderët e KEK-ut ndahen në WhatsApp”, shprehet Bajrami.
“Ky është KEK-u nën qeverisjen e Komitetit për Energji të Lëvizjes Vetëvendosje, me tenderë të negociuar pa garë, pa fizibilitet, pa transparencë, si tenderi për ”Rehabilitim dhe Modernizim e A3”, i hapur nga janari i këtij viti – tender 137 milionë euro me negociata, e për të cilin KEK-u as studim fizibiliteti nuk ka, e në anën tjetër, kompanitë e privilegjuara nga ky pushtet bëjnë qindra miliona qarkullim nga importi i energjisë”, deklaron ajo.