Igball Jashari, nipi i heroit kombëtar Adem Jashari, ka ndarë me publikun historinë e tij si futbollist dhe ka folur për të ardhmen në një intervistë të fundit.
Ai ka zbuluar se ka nisur të merret me futboll që në moshën 7-8 vjeçare, kur u bashkua me ekipin e Drenicës.
“Futbollin e kam nisur në moshën 7-8 vjeçare te Drenica, pastaj kam kaluar te Shkolla e Futbollit Kurda,” tha Igballi.
“Te Prishtina e kam nënshkruar kontratën e parë profesionale, kam qëndruar tri vjet aty, për një kohë që i falënderojë ‘Plisat’ e Prishtinën.”
Një nga momentet më interesante të intervistës ishte kur ai tregoi për një tatuazh me rëndësi të madhe për të.
“Tatuazhin e kam të babait, nga një foto e vitit 1999, kur ai kishte dalë në luftë si 17-vjeçar,” shprehu Igballi, duke theksuar se ky tatuazh ka një kuptim të veçantë, duke ruajtur kujtimin e një periudhe të rëndësishme për familjen e tij.
Në lidhje me familjen, Igballi tha se futbolli është pjesë e historisë së saj.
“Në familjen time ka luajtur futboll xhaxhai im, Fazliu, por që shkaku i disa lëndimeve e kishte lënë,” shtoi ai.
I pyetur për arritjet e tij në futboll, Igballi tregoi krenarinë për Drenicën dhe qëllimin e tij për sezonin e ardhshëm.
“Misionin e parë e kam arritur te Drenica, me rikthyer në Superligë aty ku e ka vendin,” tha ai.
Megjithatë, ai shprehu edhe një ëndërr më të madhe:
“Ëndrra e çdo lojtari në futboll është që të kalojë te kombëtarja A. Shpresoj që me lojë të mira të miat, do të ftohem ndonjëherë te kombëtarja A.”, tha ai.
Igballi u shpreh se për të është një privilegj dhe krenari të jetë pjesë e familjes Jashari.
“Për mua është privilegj që jam nga kjo familje, është një krenari mjaft e madhe për mua.”