Gjykata në Prishtinë ka lëshuar një tjetër urdhërarrest ndaj Milan Radoiçiqit, këtë herë për dyshime se ka marrë pjesë në një krim të tmerrshëm të kryer para më shumë se 25 vitesh, kur në qytetin e Gjakovës u vranë mbi njëqind civilë shqiptarë.
Trupat e tyre u zbuluan të varrosur në një varrezë masive në bazën policore në Batajnicë, Serbi. Përveç Radoiçiqit, janë të dyshuar edhe 19 persona të tjerë, pjesëtarë të forcave të armatosura nën kontrollin e Beogradit.
Sipas avokatit Ivan Niniq, çështja e Radoiçiqit aktualisht është shtyrë në plan të dytë në Serbi për shkak të protestave studentore, por komuniteti ndërkombëtar nuk e ka harruar atë.
“Përkundër premtimeve të presidentit serb Aleksandar Vuçiq për hetim nga organet serbe lidhur me rastin Banjska, asgjë nuk ka ndodhur që nga momenti kur Radoiçiq është marrë në pyetje. Përkundrazi, ai mbrohet nga shteti serb dhe shërbimet e tij, ndërsa aktivitetet e tij të biznesit vazhdojnë pa pengesa edhe në zona elitare si Dedinje në Beograd”.
Sipas avokatit, Aleksandar Vuçiq është streha kryesore e Milan Radoiçiqit.
“Ai i siguron atij mbrojtje të plotë nga ligji dhe institucionet e drejtësisë. Radoiçiqi me siguri nuk do të ekstradohet, veçanërisht jo në institucionet e Prishtinës, dhe është e mundur që me të të arrihet një marrëveshje për pranimin e fajësisë. Por ajo nuk do të jetë një marrëveshje e mirëfilltë juridiko-penale, por një marrëveshje politike-penale që do të shërbejë si zëvendësim për një proces gjyqësor të hapur për publikun – gjë që do të ishte e rrezikshme për pushtetin aktual”.
Megjithatë, sipas avokatit, mbetet për t’u parë nëse bashkësia ndërkombëtare do të kënaqet me një zgjidhje të tillë.
“Për këtë pushtet, Radoiçiqi është bërë ajo që ishin dikur Ratko Mladiqi dhe Radovan Karaxhiqi për regjimin e Sllobodan Millosheviqit dhe për vetë shtetin serb – një barrë. Në fund të fundit, gjithçka, duket, do të varet nga Radoiçiqi“, shpjegon avokati Ivan Ninic.
Në Kosovë janë ngritur aktakuza kundër Radoiçiqit, i është konfiskuar pasuria dhe ndaj tij janë shpallur disa urdhërarreste. Por sipas analizës së Ninić, ai nuk do të ekstradohet kurrë në Kosovë dhe ka shumë mundësi që regjimi i Vuçiqit të arrijë ndonjë marrëveshje politike me të, në vend të një procesi transparent gjyqësor. Ai e krahasoi rolin e Radoiçiqit për regjimin e Vuçiqit me atë që dikur kishin Ratko Mladiq dhe Radovan Karaxhiq për regjimin e Sllobodan Millosheviqit – një barrë e rëndë që më herët a më vonë do të kërkojë zgjidhje.
Në ngjarjet e 24 shtatorit 2023 në Banjskë, ku Radoiçiq udhëhoqi një grup të armatosur që përfundoi me katër viktima – tre serbë lokalë dhe një polic kosovar – Radoiçiq u kthye në Serbi, u ndal për pak dhe u lirua menjëherë, duke pranuar pjesërisht fajësinë për “rrezikim të përgjithshëm”, por pa asnjë pasojë reale.
Lidhur me krimet e luftës, një nga akuzat më të rënda ndaj tij është për pjesëmarrje në masakrën e Gjakovës, ku trupat e mbi 100 civilëve u zhvendosën nga Kosova në Serbi dhe u varrosën fshehurazi në bazën e njësisë speciale të policisë në Batajnicë. Në mesin e viktimave të varrosura në këtë bazë, janë gjetur edhe tri biberona, çka tregon se ndër viktimat kishte edhe foshnja. Për këto krime është dënuar më herët me 18 vite burg nga Tribunali i Hagës ish-drejtuesi i MUP-it serb, Vlastimir Gjorgjeviq.
Radoiçiqi, me përkrahjen dhe mbrojtjen e Vuçiqit, përfaqëson një simbol të pandëshkueshmërisë për krime të rënda në regjimin aktual të Serbisë, dhe është kthyer në një figurë që mund të vendosë edhe për fatin politik të vetë presidentit serb.