Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas dështimit të Kuvendit të Kosovës për t’u konstituuar edhe sot, përpjekja e shtatë pas disa tentativave të dështuara.
Çitaku ka shprehur shqetësim lidhur me mënyrën e trajtimit të Kosovës dhe institucioneve të saj nga Lëvizja Vetëvendosje, duke e cilësuar si të papërgjegjshme dhe të papranueshme këtë qasje.
Ajo theksoi se “Përpjekja e vazhdueshme për të degraduar çdo institucion është konstanta e vetme e kësaj lëvizjeje. Nga gurët dhe gazi, deri te kryeneçësia e pakuptimtë, LVV nuk ka zgjedhur kurrë mjete për të sulmuar dhe dëmtuar institucionet e këtij vendi.”
Çitaku theksoi se Lëvizja Vetëvendosje ka mundësinë të zhbllokojë punën e Kuvendit, por e refuzon këtë mundësi.
Sipas saj, përdorimi i mjeteve normale të politikës dhe demokracisë nuk përputhet me traditën e LVV-së.
Ajo gjithashtu kritikoi situatën e rënduar në fushën e energjisë, ku çmimet vazhdojnë të rriten ndërkohë që Kuvendi është duke humbur kohë me debatet mbi ulëse dhe emra të përveçëm.
“Turp”, ka përfunduar Çitaku.