Kusari-Lila për Haxhiun: Ka 3 herë më shumë vota se Haradinaj e 30 mijë më shumë se Krasniqi

Deputetja Mimoza Kusari-Lila ka bërë një përmbledhje të veprimtarisë të deputetes Albulena Haxhiu.

Pas mbylljes së punimeve të seancës konstitive, Kusari-Lila tha se Haxhiu është gruaja më e votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe se ka më shumë vota se shumë nga partitë tjera që deri dje ishin në opozitë.“Jam këtu të deklaroj se lehtësia me të cilën po gjykohet dhe vlerësohet mundësia e ndërrimit të kandidates së LVV për kryetare të Kuvendit, është tërësisht i papranueshëm për ne. Albulena Haxhiu është gruaja më e votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit, me 125 mijë vota, apo 3 herë më shumë vota se zoti Haradinaj, apo dy herë më shumë se tërë grupi parlamentar i AAK-së që kanë qenë bashkë. Pesha politike, legjitimiteti i zonjë Haxhiu për të qenë kryetare e Kuvendit është e pakontestueshme. Gjithashtu, nëse krahasohet me vetë liderin e opozitës, zoti Memli Krasniqi, zonja Haxhiu është 30 mijë vota para zotit Krasniqi”, deklaroi Kusari-Lila.

Ajo tha se Haxhiu po kategorizohet në mënyrë mizogjene.“Haxhiu ka qenë mbi 11 vite deputete e Kuvendit. Roli i saj nuk ka qenë unifikues me thirrje, por ka qenë opozitare, dhe besoj si opozitare e ka treguar përkushtimin dhe betejën e vazhdueshme për të gjitha kauzat e LVV-së. Edhe në rolin e ministres së Drejtësisë, sërish ka përfaqësuar qeverinë Kurti 2”.

Para mediave, deputetja e LVV-së tha se partia që ajo përfaqëson po kërkon konsensus.