Këshilltari i Fatmir Limajt, Albert Maxhuni, i ka reaguar Ramush Haradinajt, pasi ky i fundit pati deklarata të njëpasnjëshme kundër Limajt.
Përmes një postimi në Facebook, Maxhuni ka thënë se ishin përfaqësuesit e Nismës në Kuvend që e kishin ndihmuar atë të bëhet kryeministër.
“Le t’i kujtojë dikush z. Haradinaj se fjala e Limajt dhe votat e NISMA-s e bënë Kryeministër në vitin 2017, ndërsa ai, si “mirënjohës”, e rrëzoi Qeverinë pa u konsultuar me partnerët (për dorëheqjen u njoftuam vetëm në mbledhje të Qeverisë). Ndërsa në vitin 2019, e la NISMËN pa grup parlamentar”, thuhet në postimin e Maxhunit në Facebook.
Haradinaj ka thënë se kushdo që i ndihmon Kurtit të bashkëqeverisë, përfshirë edhe Limajn, është “dorë e zgjatur e Serbisë”.
“Nëse Fatmir Limaj bëhet me Albin Kurtin, atëherë mendërmethënë është dorë e zgjatur e Serbisë. E zbuluam edhe një, e paskemi pasë në ekip po s’e paskem ditë. E paskemi pasë të infiltrum në radhët tona. Kush bëhet shkaktar me vazhdu ky, ta dini se është në agjendë të Moskës dhe Serbisë”, ka deklaruar Haradinaj.