Deputeti i VV-së, Hekuran Murati, ka reaguar lidhur me situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës, ku përplasjet politike po pamundësojnë zgjedhjen e kryetarit të këtij institucioni.
Përmes një postimi në ‘rrjete social’Facebook’, Murati ka drejtuar kritika ndaj opozitës, të cilën e akuzon për bllokimin e procesit konstituiv, duke theksuar se Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, ka përmbushur obligimin kushtetues duke propozuar kandidaten për kryetare të Kuvendit.
“Posti i Kryetarit të Kuvendit i takon partisë fituese, kështu e thotë Kushtetuta, dhe këtë e ka sqaruar qartë edhe Gjykata Kushtetuese, e cila thekson se të gjithë deputetët kanë për obligim të votojnë,” shkruan Murati.
Tutje thotë se Kushtetuta kërkon që në këto pozita të emërohen vetëm deputetë të zgjedhur dhe se të gjithë ata konsiderohen të denjë për funksione institucionale.
Murati ka paralajmëruar se interpretimi aktual i opozitës, që ngarkon vetëm partinë fituese me sigurimin e 61 votave, mund të sjellë një bllokadë tjetër institucionale, pasi atëherë as opozita nuk do të mund të zgjedhë nënkryetarët e saj.