Gruda i reagon Albulena Haxhiut: PDK nuk ka kërkuar kurrë të qeverisë me ju

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, i ka reaguar Albulena Haxhiut, pas deklarimeve të saj lidhur me pozicionimin e partive në raport me Vetëvendosjen, shkruan Insajderi.

Përmes një postimi në Facebook, Gruda i është drejtuar Haxhiut me tone të drejtpërdrejta, duke i mohuar çdo ide për një bashkëqeverisje mes PDK-së dhe VV-së, siç kishte lënë të nënkuptohej në qëndrimet e saj.

“Albulenë, po ta heq një barrë mendimesh: PDK nuk ka kërkuar asnjëherë të qeverisë me ju. Prandaj, të refuzosh diçka që nuk ka qenë kurrë opsion, në rastin më të mirë është paksa deluzionale,” ka shkruar Gruda.

Ai tha se e vetmja gjë që PDK kërkon nga Vetëvendosje është debati publik dhe ballafaqimi me argumente, jo marrëveshje politike apo koalicion.

“Me ju kërkojmë vetëm debat. Jemi larg, shumë larg. Jo vetëm në pozicion politik dhe ideologjik, por edhe në mënyrën se si e përjetojmë Kosovën, si e kuptojmë qeverisjen dhe si i ndërtojmë aleancat,” vazhdoi ai.

Deputeti i PDK-së potencoi se për partinë e tij, këto nuk janë çështje taktike, por vlera themelore mbi të cilat nuk mund të bëhen kompromise.