Deputeti i PDK sfidon ‘live’ Albulena Haxhiun: Për shikuesit do të ishte më mirë të ishim bashkë, që t’i përballnim argumentet

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe deputeti i zgjedhur i PDK-së, Përparim Gruda, kanë shkëmbyer një shtrëngim duarsh në fund të një paraqitjeje televizive.

Pas përfundimit të intervistës së Haxhiut në një emision televiziv, moderatori njoftoi se në sfond të studios ndodhej edhe deputeti Gruda dhe e pyeti ministren nëse do të ishte e gatshme për një shtrëngim duarsh.

“Nuk kam problem me ia zgjat dorën,” u përgjigj Haxhiu me qetësi, duke u afruar më pas drejt Grudës.

Nga ana tjetër, Gruda komentoi se do të kishte qenë më mirë për shikuesit sikur të dy të ishin përballë në studio për të debatuar me argumente të drejtpërdrejta.

“Për shikues më mirë do të ishte të ishim bashkë, që t’i përballim argumentet,” tha ai.

Moderatori e mbylli situatën me një premtim për një përballje të ardhshme mes dy përfaqësuesve politikë, me Haxhiun që u shpreh e gatshme “Sigurisht, patjetër, ne këtu jemi”./Insajderi