Zbulohet plani tronditës i Lumir Abdixhikut për 6 deputetët

Pasi i mbijetoi shkarkimit në fundkorrik, Lumir Abdixhiku doli me vendim të ri nga Kuvendi i partisë: që vendimet e organeve, përshirë Këshillin, duhet të respektoheshin nga anëtarët dhe të zgjedhurit. Këtë e bëri, duke e ditur se në grupin parlamentar kishte kolegë që nuk e përkrahnin bisedimet për t’ia zgjatur pushtetin Kurtit dhe Vetëvendosjes.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku kishte ndërprerë bisedimet me homologun e tij të Vetëvendosjes, Albin Kurtin për çështjen e presidentit, për t’i shpëtuar shkarkimit të tij pas thirrjes së Kuvendit të LDK-së që të votohet për shkarkimin e tij.

 

Pasi i mbijetoi ngushtë shkarkimit të Abdixhikut, LDK-ja doli me vendim të ri që vendimet e Kryesisë të respektoheshin nga anëtarësia, përfshirë edhe pjesëtarët e grupit parlamentar të LDK-së. Krejt kjo ndodhte kur në publik raportohej për anëtarë të lartë të kësaj partie që ishin kundër udhëheqjes së Abdixhikut, i cili kishte pësuar humbje të njëpasnjëshme zgjedhore dhe kundër bashkëpunimit me Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen e tij.

Më 31 korrik, LDK-ja kishte dalë me vendime që kishte marrë gjatë Kuvendit të mbajtur një ditë më herët.

Në mesin e vendimeve ishte edhe respektimi dhe zbatimi i vendimeve të shumicës.

“Të gjithë anëtarët, zyrtarët, të zgjedhurit dhe përfaqësuesit e LDK-së obligohen t’i respektojnë dhe zbatojnë vendimet e miratuara nga organet kompetente të partisë, në përputhje me statutin”, thuhej në pikën e parë të pjesës së dytë të dokumentit.

Pas mbijetesës partiake, Abdixhiku vazhdoi takimet me Kurtin dhe gjatë javës që shkoi u pajtuan për një emër për president, atë të Bekim Sejdiut.

Abdixhiku për emrin e presidentit kishte biseduar me Kryesinë e partisë, por jo edhe me grupin e tij parlamentar.

Emri i Sejdiut u miratua të martën (1 shtator) nga Kryesia e LDK-së e cila e përkrah Abdixhikun.

Në një deklaratë të publikuar pas mbledhjes, LDK-ja bëri të ditur se Kryesia, në përputhje me autorizimet e dhëna nga Kuvendi i partisë dhe përgjegjësitë statutare, ka mbështetur marrëveshjen e arritur nga ekipi negociues i LDK-së.

Në fund, Kryesia u ka bërë thirrje deputetëve të Grupit Parlamentar të LDK-së që gjatë votimit të veprojnë në përputhje me vendimet e organeve të partisë dhe autorizimet e dhëna nga Kuvendi i LDK-së.

Mirëpo Abdixhiku pas takimit me grupin parlamentar nuk doli me përkrahjen e plotë për emrin. Thirri gjashtë emra që tha se ishin kundër propozimit për president.

“Sapo mbajtëm mbledhjen e grupit parlamentar dhe me keqardhje të madhe për popullin, gjashtë deputetë të LDK-së kanë vendosur të mos e respektojnë vendimin e Kryesisë, duke humbur mundësi të madhe për Kosovën që ta dërgojnë vendin në zgjedhje, do të duhej ta kapërcenin veten, nuk ka qenë beteja me mua”, ka thënë veç të tjerash ai.

“Ata janë Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Janina Ymeri, Armend Zemaj, Arben Gashi dhe Kujtim Shala, ka thënë Abdixhiku.

Konferenca e akuzave

Abdixhiku ka thënë se nuk mundet më me grupin parlamentar të LDK-së.

“Edhe njëherë, unë vetëm ndjek Këshillin dhe kërkoj falje për popullin e Kosovës. Kaq munda, nuk munda më tepër. Jo me këtë grup parlamentar, jo me këtë përçarje, jo me këtë ndarje, nuk munda më tepër”, ka thenë Abdixhiku.

“Jam përpjekur të jap një mendim të pjekur, fokusin e Republikës, me shumë pak gjasa, të një partie që ka pasur kërkesa absolute për president të vetin. Fatkeqësisht po humbim një mundësi të tillë për të ikur prej këtij politizimi individual. Është politikë jo e kohës. Ndoshta kjo politikë po shfaqet, unë po mendoj do të vijë koha në një rrethanë tjetër”, ka shtuar ai.

Në reagimin pas akuzave të Abdixhikut, deputetja Hykmete Bajrami ka konfirmuar se emri i Bekim Sejdiut nuk kishte shkuar për diskutim në grupin parlamentar të LDK-së.

“Emrat e diskutuar për President të Republikës nuk janë konsultuar paraprakisht me deputetët e LDK-së. Nëse nevojiten votat tona, konsultimi është dashur të bëhet para marrëveshjes, jo pasi ajo është arritur dhe është bërë publike”, ka thënë ajo.

“Askush nuk mund ta negociojë votën e një deputeti dhe pastaj, nëse nuk e merr atë votë, ta bëjë deputetin përgjegjës për zgjedhje të reja. Pastaj mos të harrojmë se zgjedhjet nuk shmangen me çdo kusht me zgjedhjen e presidentit sepse Kuvendi për shkak të LVV ka bërë shkelje kushtetuese dhe është kalu afatin 30 ditor për konstituim.”, ka theksuar Bajrami.

Ndërkaq, Abdixhik në konferencën për media ka paralajmëruar ndëshkim për gjashtë të pakënaqurit, të cilët i ka akuzuar se rrezikojnë ta dërgojnë Kosovën në zgjedhje të reja.

”S’duhet të brengosem në këtë fazë për natyrën diciplinore brenda LDK-së, sepse ajo do të vijë. Më shumë jam i brengosur për pasojat për Kosovën”, tha ai, pasi u pyet për pasojat për ata që kundërshtojnë.