Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka lëshuar një paralajmërim lidhur me zgjedhjet e reja parlamentare në drejtim të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, si dhe kryetarit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.
Haradinaj, me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ i ka kërkuar Kurtit që të dorëhiqet dhe të formohet kryesia e Kuvendit e Qeveria. Përndryshe, siç u shpreh ai, “pushtetin do t’ia kthejmë sovranit- e aty mashat do të digjen”, duke aluduar në Limajn, shkruan Insajderi.
“Politikat bllokuese, shantazhuese dhe uzurpuese janë kryefjala e Albin Kurtit. Pezullimi i seancës në mënyrë arbitrare, edhe pse ishin numrat për vazhdim, e shfaq edhe një herë qartë se kush janë këta njerëz që e mbajnë peng Kosovën tash e më shumë se katër vjet.
Kosova dhe karakteri i saj parlamentar, demokratik dhe properëndimor nuk do të rrëshqasin për shkak të tekeve dhe dëshirave autokratike e diktatoriale të lindjes”, ka thënë ndër të tjera i pari i AAK’së.