Ligji që e ka shkruar vet e detyron të dorëhiqet nga posti i anëtarit të qeverisë në detyrë para sa të betohet si deputet, ndërsa Kushtetuta e Kosovës ia ndalon shprehimisht të mund të ushtrojë dy pushtetete, atë legjislativ dhe ekzekutiv, transmeton Periskopi.
Me një mijë e një justifikime, Albin Kurti dhe nëntë ministra të tij të zgjedhur deputetë, kanë prodhuar mjegull të madhe se pse s’u dorëhoqën, deri në përmasa të “po kërkohet të lihet shteti pa zot shtëpie”.
Krejt kësaj megjithatë përkthimi i del vec mungesë e 61 numrave.
Seanca konstitutive – e ndërprerë për çështje mosdorëheqjeje, ku s’ka dhënë akt formal – vazhdon nesër nga ora 12:00, ku mbetet të shihet a i ka tash Albin Kurti shumicën minimale të thjesht, 61 numra, së paku të votojë për raportin e Komisionit Verifikues të mandateve.
Ish-Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, e sheh pa një pa dy, se Albin Kurti “ka gënjyer Kuvendin e Kosovës” me çështjen e njoftimit të dorëheqjes, që nuk e ka dhënë: sepse s’ka akt formal dhe valid dorëheqjeje.
“Ky t’i kish pas numrat, në vend e kish kry këtë aktin e dorëheqjes. Absolutisht”, tha Ymeri në “Debat Plus”.
“E nëse e kryn nesër (me akt formal të dorëheqjes), i bjen që deri tash ka rrejt. Nëse jep nesër dorëheqje sepse i ka 61 vota dhe e kryn procedurën, a i bjen që ka rrejt deri sot?”, tha Ymeri.
Ish-anëtari i Vetëvendosjes dhe opinionisti Ylli Hoxha, dha lexim të kundërthënieve nga Albin Kurti këto më shumë se dy muaj, duke e përzgjatur pafund formimin e qeverisë: Pse? Sepse s’i ka numrat.
Ka mbet t’u kqyr prapa ‘A erdh Vetoni, a s’erdh Vetoni?’, ‘A erdh Duda, a s’erdh Duda?’
Hoxha tha se as Kurti vetë “nuk e di” a i ka nesër 61 vota për një shumicë të thjeshtë parlamentare në seancën konstitutive.
“Problemi nuk është këtu, apo e braktis apo jo? Problemi zmadhohet, sepse dy muaj pas zgjedhjeve njeri që është në Zyrë të Kryeministrit nuk e di a ka me qenë kryeministër ajo. Nuk e ka të qartë. Ai njeri nuk e din nesër kur të shkon në seancë nuk e di a i ka 61 numra a nuk i ka.
Mbet t’u kqyr përmbrapa, ‘A erdh Vetoni?’, ‘A erdh Duda?’, a qe dy muaj na thotë i kam numrat. Qe do muaj thotë ‘jah more, me partitë e stërvjetëruara nuk flas’. As me NISMA-n thotë nuk flas. Vjen Ministrja e Drejtësisë thotë ‘nuk kemi diskutuar fare me Nisma’”, tha ai.
Deputeti i Vetëvendosjes, Arbër Rexhaj, tha në “Kanal 10” se i kanë siguruar 61 vota për të votuar nesër edhe Kryetarin e Kuvendit.
“Mendoj që nesër do ta zgjedhim kryeparlamentarin dhe për këtë i kemi siguruar numrat, thash jemi në proces të krijimit të numrave, ju e keni parë, Nisma ka votuar pro atë ditë”, ka thënë Rexhaj.
“Situata është e pastër, duhet të japin dorëheqje…kjo këtu është fare-fare e thjeshtë, kushdo që e lexon e kupton”.
Kështu u shpreh një nga juristët që ka ekspozuar në veçanti shkeljet kushtetuese të Vetëvendosjes, Përparim Gruda, i i cili ishte përfaqësues i partisë së vet në Komisionin Verifikues të mandateve, kur po shqyrtonin raportin.
“Kjo (letër) nuk është (dorëheqje)”, tha Gruda të ketë thënë në atë mbledhje, dhe se rrjedhimisht si jurist s’mund ta votonte diçka që është edhe antikushtetuese.
Gruda vazhdoi të lexojë Nenin 26 që ka shkruar Vetëvendosja dhe miratuar si Ligj për Qeverinë: “Këtu është krejt e qartë…e ka cilësorin ‘Në Detyrë’, ‘Qeveri në detyrë’, këtë s’ke nevojë as ta interpretosh. Çka t’i shtosh, është veç arbitraritet”.
“Teksti është i mjaftueshëm me shpjegu krejt situatën”.
Nesër vazhdimi i seancës konstitutive…
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmai, rikujtoi rregullin ligjor të Kuvendi të Kosovës, dhe se jo më larg se 48 orë që nga ndërprerja e seancës, ajo duhet thirrur sërish.
Lidhja Demokratike e Kosovës i parapriu përgjigjes së Vjosa Osmanit, duke njoftuar se ata veçse do të jenë në seancën që përcaktohet jo më larg se 48 orë.
Do të kërkojnë “dorëheqjen” sërish, ritheksoi LDK-ja.
Hykmete Bajrami, Nënkryetare e LDK-së, i replikoi deputetit Murati (që pretendon të mbajë ende postin e ministrit) se ligji – që kanë shkruar vetë – i kërkon që si specifikisht “ministër në detyrë” duhet të japë dorëheqke
“S’po kërkojmë ne, me e braktisë Qeverinë, (nëse po e cilëson dorëheqjën si braktisje), por po ta kërkon Ligji që vet e keni shkru, vetë e keni aprovu, e që është në fuqi nga viti 2022. Neni 26 i këtij Ligji po thotë si ministër në detyrë duhesh me dhanë dorëheqje”, shkroi ajo.
“Pra pranoni që jeni të paaftë me shkru ligje, jeni shkelës të Kushtetutës e të ligjeve, madje edhe të atyre që vetë i keni shkru dhe aprovu”, shtoi Bajrami.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, shtoi se nesër sërish do të kërkojnë dorëheqjen “gjithë atyre që me zor duan t’i mbajnë dy poste përjashtuese në të njëjtën kohë”.
“LDK do të vazhdojë të sillet në mbrojtje të ligjeve e Kushtetutës dhe sëkëndejmi të vet Republikës. Këtë punë kanë deputetët e vendit”, tha Abdixhiku.