Mbyllja e “Tik Tok”, Rama: Gratë dhe vajzat na dhanë mbështetjen me 100%, burrat jo dhe aq

Kryeministri Edi Rama dhe njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, u shpreh se gratë dhe vajzat kanë qenë mbështetëse të palëkundura për vendimin, i cili çoi në mbylljen e rrjetit social “Tik Tok”.Ai theksoi se burrat nuk e treguan mbështetjen maksimale, siç e bënë gratë shqiptare.

“Nuk e di nëse do të kishim arritur të mbyllim Tiktok dhe të merrnin në mbrojtje fëmijët tanë nga ato kanosje pa ndjeshmërinë e posaçme të nënave të nxënësve dhe njëkohësisht të grave dhe vajzave mësuese, të cilat përbëjnë 80 për qind të trupës kombëtare mësimore. Por ajo që di është se mbështetja e tyre për idenë e mbylljes së asaj platforme ishte thuajse 100 për qind, ndërkohë që e burrave jo dhe aq. Di se ndotësit më të mëdhenj të rrjeteve sociale nuk janë gratë dhe vajzat, por tjetërkush.

Ashtu sikundër dhe ndotësit më të mëdhenj të gjithë mexhelisit të debatit publik e mediatik i përkasin botës mashkullore.”, tha ai. /Abcnews.al