“Beteja e Koshares nisi me urdhër nga Shtabi i Brigadës”, Berisha rrëfen detaje nga operacioni

Më 9 prill, Kosova kujton betejën heroike të Koshares, një nga momentet më kulmore të luftës për çlirim që u zhvillua në kuadër të operacionit “Shigjeta” në vitin 1999.

Ish-komandanti i UÇK-së në Koshare, Hisen Berisha, në Debat Plus, ka ndarë detaje rreth këtij operacioni, duke theksuar se urdhrin për betejën e Koshares e morën nga Shtabi i Brigadës, grupi operativ 3.

“Nga Shtabi i Brigadës, grupi operativ 3, urdhri është hartuar është përpiluar nga stafi i grupit operativ dhe njësive që e përbënin. Dhe këtë urdhër e kemi përgatitur për disa ditë vëzhgime, analiza, në kufi në thellësi të territorit dhe informacione të detajuara që do të mund ta bënin të realizueshëm një operacion që do të ndodhte luftë frontale nga kufiri, me objektiva të qarta, të përpunuar jo vetëm në fazën e parë të sulmit, dhe të kapjes së objektivave të fazës së parë apo të dytë pro deri në çlirim. Sepse lufta çlirimtare ka një kod që fillojnë në kufi dhe përfundojnë me lirinë në anën tjetër të kufirit. Stërvitjet janë bërë për këtë mision”, ka deklaruar ai.

Ai ka shtuar se operacioni ishte një sfidë e madhe, pasi zhvillohej në një terren të vështirë, por theksoi se ishin bërë stërvitje të përshtatshme dhe përgatitje të hollësishme nga njësitë vëzhguese, të udhëhequra nga komandanti Agim Ramadani.

“Njësia Kobra ka qenë njësi elitare, e cila ka realizuar operacione të rëndësishme që kanë kontribuar në suksesin e betejës”, ka shtuar ai.

Berisha ka theksuar se secili komandant ka marrë detyrat operacionale dhe ka pasur një plan të qartë për sulmin.

“Përgatitja për një sulm me kapacitete të limituara në një territor të vështirë edhe për ne edhe për armikun ka qenë një sfidë në vete por që kemi arritur ta bëjmë duke vlerësuar mirë situatën. I kemi marrë detyrat operacionale secili komandant, dhe secili e ka ditur drejtimin e operativit dhe objektivin se ku ka me godit. Dhe është realizuara faza e parë e sulmit kapja e objektivave të planifikuara, dhe pastaj sistemimi i vijës së zjarrit marrja e urdhrave fragmentare shtesë dhe kapja e objektivave të ardhshme, me planin që pastaj të zhvillohemi”, ka deklaruar Berisha.