Derisa në Kosovë po qëndronte përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, Qeveria e Kosovës mori një vendim krejtësisht ndryshe nga çfarë priste ai.
Gjashtë ditë më parë, Qeveria e Kosovës në mbledhjen elektronike mori vendim që të mundësojë regjistrimin e automjeteve me targa RKS për të gjitha automjetet e pajisura me targat “PR, KM,PZ,GL,PE,UR,DA”, si dhe vendimin për kalimin e kufirit shtetëror nga qytetarët me dokumente personale të lëshuara nga Serbia.
Kësisoj qytetarët serbë të cilët hyjnë në Kosovë, do të duhet që të ndalojnë në pikat kufitare për të marrë një dokument, ashtu siç kosovarët është dashur të veprojnë ndër vite gjatë kalimit kufitar me Serbinë.
Lidhur me këto vendime, lajmi.net ka kontaktuar Bashkimin Evropian, nga ku u theksua se Kosova ka të drejtë të heqë gradualisht targat e Kosovës.
Madje sipas BE-së, marrëveshjet janë të qarta se në Kosovë do të përdoren vetëm targa të lëshuara nga Kosova.
“Sipas Marrëveshjeve të Dialogut për Lirinë e Lëvizjes nga viti 2011 dhe 2016, Kosova ka të drejtë. Marrëveshjet janë të qarta se në Kosovë do të përdoren vetëm targat të lëshuara nga Kosova. Megjithatë, është e rëndësishme që të jetë kohë e mjaftueshme për zbatimin e këtij plani dhe që ai të përgatitet dhe zbatohet në konsultim të ngushtë me qytetarët e prekur dhe në përputhje me praktikat e mira evropiane”,thuhet në përgjigjen e BE-së.
Gjithashtu u saktësua se konkluzionet e lirisë së lëvizjes nga viti 2016 përfshijnë afate kohore për riregjistrim, të cilat duhet të ofrojnë udhëzime.
Madje nga Bashkimi Evropian kanë shprehur keqardhje që nuk është arritur asnjë marrëveshje për çështjen e targave ndërmjet dy kryenegociatorëve në prill dhe maj.
“Grupi Punues për targa kishte për detyrë të shqyrtonte të gjitha opsionet për një zgjidhje të përhershme të çështjes së targave bazuar në standardet dhe praktikat e BE-së. Ata përfunduan punë e tyre në prill. BE-ja shpreh keqardhje që nuk është arritur asnjë marrëveshje për çështjen e targave ndërmjet dy kryenegociatorëve në prill dhe maj. Duke qenë se nuk ka marrëveshje për një zgjidhje të përhershme, ajo duhet të zbatohet”, u shtua tutje.
Nga Bashkimi Evropian kanë deklaruar se ua rikujton vazhdimisht të dyja palëve angazhimet e tyre të pazgjidhura, duke pritur që ato të zbatohen plotësisht.
“BE-ja ua rikujton rregullisht të dyja palëve angazhimet e tyre të pazgjidhura dhe pret që të gjitha ato të zbatohen plotësisht”, u tha nga Zyra për Media e Bashkimit Evropian.
Vendosja e reciprocitetit sa i përket regjistrimit të veturave dhe hyrjes në kufi të serbëve bëri që të ketë reagime të shumta nga zyrtarët shtetëror të Serbisë.
Madje ishte vetë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq i cili reagoi me shpejtësi në lidhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës.
Ai shkoi edhe më larg duke i dhënë “fund” dialogut. Vuçiq deklaroi se nuk ka asgjë nga dialogu dhe se nuk ka asgjë që mund të diskutohet pas këtyre vendimeve.
“Nuk ka asgjë nga kjo, lëre atë dialog, të gjitha janë histori të zbrazëta. Çfarë dialogu, pas vendimeve të tilla, pse dialog, për Bashkimin e Komunave Serbe, dhe nuk guxojnë të vendosin flamur. Për çfarë?”, tha ai.
Presidenti serb foli me tone kërcënuese për çështjen e targave. Ai tha se Kosova duhet të mendojë tre herë deri më 30 shtator para se të vazhdojë t’i mbulojë targat e automjeteve të lëshuara nga Serbia.
“Nuk do të ndërmarrim ndonjë aksion ushtarak, por kërkojmë nga ta që të mos konfiskojnë pronat e njerëzve tanë dhe të mos ndjekin dhe përjashtojnë qytetarët tanë. Kjo është kërkesa jonë e madhe. Lusim këta njerëz të fortë që të mos e bëjnë këtë”, ka thënë Vuçiq në një adresim publik.
Lidhur me këto zhvillime si fillim emisari evropian, Miroslav Lajçak deklaroi se Qeveria e Kosovës ia ndryshoi të gjitha parashikimet.
“Unë erdha në rajon për t’u përgatitur për takimin e radhës të liderëve dhe për të folur për përparimin dhe normalizimin e marrëdhënieve, tani duhet të zgjidhim këtë situatë. Nuk duhet të lejojmë që të ndodhë ndonjë krizë”, deklaroi ai.
Kosova kishte vendosur disa herë radhazi reciprocitet me Serbinë, në lidhje me disa vendime kyçe por në të shumtën e rasteve këto vendime janë tërhequr.
Ditë më parë zyrtarët evropianë kanë paralajmëruar një takim të mundshëm në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti si dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, por pas zhvillimeve të fundit nuk dihet nëse ky takim do të arrihet të zhvillohet./lajmi.net