Një ngjarje e rëndë është raportuar në Greqi, ku një shtetase shqiptare ka humbur jetën pak kohë pas lindjes së foshnjës së saj.
Familjarët e 35-vjeçares, Vjosa Mana, kanë kërkuar hetim të thelluar mbi rrethanat e ngjarjes, duke ngritur dyshime për mënyrën se si është trajtuar ajo në spital.
Bashkëshorti i saj, Eneo Rushita, në një intervistë televizive, ka deklaruar se situata ka nisur me një lindje të planifikuar me operacion cezarian, ndërsa sipas tij, komplikacionet kanë ndodhur pas lindjes.
Ai ka pretenduar se familja nuk është njoftuar menjëherë për ndërhyrjet e mëvonshme kirurgjikale, përfshirë një operacion tjetër ku, sipas tij, pacientes i është hequr mitra për shkak të hemorragjisë së brendshme.
“Fillimisht na u tha se gjithçka ishte nën kontroll. Më vonë mësova se kishte pasur një operacion të dytë. Të nesërmen në mëngjes ajo ndërroi jetë,” ka deklaruar ai, duke shtuar se ende nuk kanë marrë përgjigje zyrtare nga autoritetet dhe se presin rezultatet e analizave.
Familja e të ndjerës kërkon transparencë të plotë dhe zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike.