Zgjim Hyseni i PSD-së ka theksuar se raportet e Qeverisë aktuale të Kosovës me SHBA-të janë karakterizuar nga humbja e besimit dhe tensione të vazhdueshme, duke çuar në një distancim të marrëdhënieve.
Ai ka shtuar se Kosova nuk është më një partner i besueshëm për SHBA-të dhe kjo ka dëmtuar politikën e jashtme dhe brendshme të vendit
“Raportet e Qeverisë së fundit të Kosovës me SHBA-të kanë qenë vazhdimisht të tensionuara, e kanë karakterizuar prej një humbje të vazhdueshme të besimit dhe kjo na ka çuar në një lloj largimi të marrëdhënieve. Kosova më nuk është pjesë e vendeve ku SHBA-të mund të llogarisin si partnere në ndërmarrje të përbashkëta. Kjo përveç se e ka dëmtuar Kosovën në politikën e jashtme, nuk ka sjellë asgjë substanciale sa i përket politikave të brendshme, dhe një gjë e tillë duhet të ndryshohet sa më parë që është e mundur”.
“Administrata e re sa i përket kësaj pune është një sfidë në vetvete, sepse kemi të bëjmë me një administratë që nuk është e zakonshme, edhe me një diplomaci e cila po ashtu është tejet e paparashikueshme”.
“Krejt vendet e botës çfarë po bëjnë është se po provojnë të arrijnë të iu përshtaten dinamikave të reja, edhe përshtatjen e interesave të tyre karshi këtyre dinamikave. Kosova çfarë po bën është një lloj frike në publik se çfarë ka me na gjetur tani kur të na vijë Grenelli. Më parë se sa kështu, çfarë na duhet të bëjmë është të shohim ndërrimin e administratës si një mundësi për të gjetur një modalitet për zgjidhjen e përhershme të konfliktit Kosovë-Serbi. Për PSD-në, siç kemi insistuar vazhdimisht, Kosova duhet të bëhet gati për opsionin e ripërcaktimit të kufijve. Nëse logjika e zgjidhjes së konfliktit të Ukrainës përkthehet te ne, atëherë unë e lexoj kështu… po flitet për një zgjidhje që nuk është thjesht një armëpushim, ndalim i luftës, po flitet atje për një zgjidhje të përhershme të konfliktit me garanci të sigurisë”.
Hyseni ka kërkuar një ndryshim të qasjes, duke theksuar nevojën për një zgjidhje të përhershme të konfliktit me Serbinë, përfshirë mundësinë e ripërcaktimit të kufijve, për të siguruar njohjen reciproke.
“Një zgjidhje e përhershme e konfliktit i duhet edhe Kosovës, një zgjidhje e përhershme e cila njëherë e mirë e heq mundësinë që përmes Serbisë të krijohet një armik, i cili më tutje i korr votat këtu. Opozita duhet të ketë guximin që, përmes koalicionit dhe duke e çuar Kurtin në opozitë, të kërkojë opsionin e ripërcaktimit të kufijve, i cili opsion e zgjidh njëherë e mirë problemin Kosovë-Serbi dhe siguron njohje reciproke. Sepse e kundërta do të çonte në rrugën drejt Zajednicës”.
“Unë nuk pres që qasja e Kurtit në raport me SHBA-të do të ndryshojë, sepse me të ndryshuar qasje do të thotë me ndryshuar botëkuptimi. Qasja e tij nuk do të ndryshojë, nëse ai do të sillet ndryshe ose jo, varet shumë nga niveli i presionit dhe pasojat direkte mbi pushtetin e tij që do të ketë politika e Trumpit në Kosovë”, thotë Hyseni.