Çfarë e gjeti Albin Kurtin që ia përmendi për mirë emrin Hashim Thaçit ditën e pavarësisë

Kryeministri Albin Kurti e përmendi për herë të parë në një ceremoni shtetërore dhe ndoshta për herë të parë në një kontekst pozitiv emrin e ish-presidentit Hashim Thaçi të hënën, në 17-vjetorin e pavarësisë.

Ish-presidentin Hashim Thaçi e gjeti në paraburgimin e Gjykatës Speciale dhe në një proces të stërzgjatur gjykimi edhe përvjetori i shtatëmbëdhjetë i shtetit, pavarësinë e të cilit e kishte shpallur vetë më 17 shkurt 2008.

Albin Kurti, një politikan i cili u ngjit drejt pushtetit me kritikat e akuzat më të rënda ndaj Hashim Thaçit, nuk besonte se vendi s’do të bëhej tamam shtet. “Kosova nuk do të jetë e pavarur dhe s’do të ketë sovranitet”, deklaronte ai në fund të vitit 2007, më pak se dy muaj para shpalljes së pavarësisë.

Ai u duartrokit të hënën, kur për herë të parë në një ceremoni shtetërore dhe ndoshta për herë të parë në një kontekst pozitiv e përmendi emrin e ish-presidentit.

Kurti tha se Republika e Kosovës është rezultat edhe i “aktit sipëror” të deputetëve dhe krerëve të atëhershëm të shtetit.

“Republika e Kosovës është rezultat i aktit sipëror të brezit më të ri të të zgjedhurve të popullit të saj, emrat e përveçëm të të cilëve lexohen pas firmave të nënshkruara në deklaratën e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 nga 109 deputetë të Kuvendit të Republikës, si dhe nga krerët shtetërorë ë asaj kohe: presidenti Fatmir Sejdiu, kryekuvendari Jakup Krasniqi dhe kryeministri Hashim Thaçi”, deklaroi ai në ceremoninë e parakalimit të trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së vendit.

Disa duartrokitje pasuan posa kryeministri e mbylli këtë fjali.

Kurti madje përmendi “rrahjet e zemrave” të brezave që kanë kontribuar për pavarësinë e vendit, siç kishte bërë Thaçi në fjalimin e tij në 17 shkurtin e vitit 2008.

“Bora që kishte rënë sot herë në mëngjes dhe temperaturat minus në ditën e sotme, na e lehtësojnë kujtimin e 17 Shkurtit 2008 që ishte një ditë me mot aq të ftohtë. Por duke i dëgjuar rrahjet e zemrave të të gjithë brezave që kanë kontribuar për atë ditë, zemrat tona ngrohen mes nesh bashkë duke u forcuar për këtë ditë feste të përbashkët”, tha Kurti.

Thaçi do t’i përmendte “rrahjet e zemrave” atë ditë, para se të niste leximin e deklaratës së pavarësisë.

“Tani, më lejoni, që duke ndjerë rrahjet e zemrës së stërgjyshërve tanë në veshët tonë unë me privilegjin më të madh do ta lexoj deklaratën e pavarësisë së Kosovës…”, thoshte kryeministri i atëhershëm.

Thaçi po mbahet në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë, i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit që pretendohet të jenë kryer gjatë periudhës së luftës, periudhë për të cilën ai thotë se ndjehet më së shumti krenar.

Qe mbi 4 vjet, ai vazhdon të mbahet në paraburgim. Thaçi ishte president i vendit më 5 nëntor 2020, kur Specialja konfirmoi aktakuzën ndaj tij. Atë ditë ai thirri një konferencë për media dhe njoftoi se po jepte dorëheqje.