Analisti Ilir Mirena, ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë që obligohen lokalet e gastronomisë të u shërbejnë ujë klientëve, sipas njoftimit lokalet do të shërbejnë ujë nga çezma, shkruan Insajderi.
Mirena ka ironzuar duke thënë se kush do që kërkon ujë të çeshmës do ta orientonte për në tualet.
“E sherbimi qe kamarieri ta bjen ujin ne tavoline, plus gota, plus pastrimi i gotes – kush i pagun k’to? Edhe k’to kosto jane. Me kane si k’ta t’kafeve kush lyp uje t’çeshmes tash e tutje veç n’banjo e kisha orientu”, tha ai.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen që ka mbajtur ka miratuar rregulloren për furnizim me ujë të pijshëm në objektet e gastronomisë, e cila parasheh që të gjithë klientët të kenë qasje në ujë të pijshëm në, ku sipas njoftimit lokalet do të shërbejnë ujë nga çezma.
Sipas rregullores së miratuar objektet e gastronomisë duhet të pajisen me certifikatë të cilësisë së ujit nga ISHPK dhe ta ekspozojnë atë në lokale.
“Në rast se objekti furnizohet me ujë nga ujësjellësi publik, pronari i objektit nuk mund t’i ndalojë klientët të shërbehen nga uji i rubinetit”, thuhet në rregullore.