Presidentja e Republikës së Kosovës ka përgëzuar qytetarët për pjesëmarrjen dhe kulturën e lartë demokratike të treguar në këto zgjedhje, duke vlerësuar rëndësinë e një procesi të qetë dhe transparent.
Megjithatë, pas dështimit të softuerit për përpunimin dhe publikimin e rezultateve preliminare, informacion ky i konfirmuar nga KQZ-ja, Presidentja ka bërë thirrje për mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor, duke siguruar që çdo votë të numërohet saktë dhe në përputhje me vullnetin qytetar.
Ajo ka theksuar se do të mbetet në kontakt me të gjitha institucionet përkatëse deri në sigurimin e plotë që procesi i numërimit dhe publikimit të rezultateve të zhvillohet sipas standardeve më të larta demokratike.
Zhvillimet e mëtejshme mbi procesin zgjedhor pritet të vijnë nga KQZ, e cila tashmë ka nisur mbledhjen manuale të të dhënave për rezultatet e votimeve.
‘Deklaratë e Presidentes
Presidentja e Republikës së Kosovës përgëzon qytetarët që, edhe në këtë proces zgjedhor, treguan kulturë të lartë demokratike.
Ajo ka shprehur pritshmërinë që KQZ-ja do të përfundojë me sukses numërimin e votave brenda mbrëmjes së sotme. Megjithatë, pas dështimit të softuerit, informacion ky i konfirmuar nga KQZ-ja, Presidentja ka kërkuar që të mbrohet integriteti i procesit zgjedhor, duke siguruar që çdo votë të numërohet saktë.
Presidentja do të vazhdojë të jetë në kontakt me të gjitha institucionet përkatëse, deri në sigurimin e plotë që i gjithë procesi zgjedhor, përfshirë numërimin dhe publikimin e rezultateve, të zhvillohet në përputhje me standardet më të larta demokratike dhe në përputhje me vullnetin qytetar’, thuhet në njoftimin e Presidencës.