Lulzim Basha i është drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë me një padi civile ndaj Taulant Ballës, duke e akuzuar për shpifje dhe kërkuar tërheqjen publike të një deklarate të bërë në Kuvend.
Në qendër të padisë është pretendimi i Ballës se Agron Shehaj kishte paguar para për t’u përfshirë në listën e kandidatëve për deputetë. Basha e cilëson këtë deklaratë të pavërtetë dhe pretendon se ajo cenon reputacionin dhe dinjitetin e tij.
Përmes kërkesëpadisë, Basha kërkon që gjykata ta detyrojë Ballën të tërheqë deklaratën dhe të publikojë një përgënjeshtrim në mediat kombëtare, me shpenzimet e tij.
“Liria e shprehjes dhe debati politik nuk përbëjnë imunitet nga përgjegjësia ligjore për deklarata faktike të pavërteta që cenojnë reputacionin dhe dinjitetin e individit. Çdo rast duhet të shqyrtohet mbi bazën e fakteve, provave dhe standardeve të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, pa privilegje për shkak të statusit politik të palëve”, thuhet në kërkesën drejtuar gjykatës.