Cka po ndodh? Geci paralajmëron protesta

Halil Geci ka reaguar ashpër lidhur me Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke paralajmëruar se zbatimi i këtij mekanizmi mund të tronditë interesat e atyre që nuk mund ta justifikojnë pasurinë e tyre.

 

Përmes një postimi në Facebook, ai ngre shqetësimin se kundërshtimet ndaj Byrosë mund të shndërrohen edhe në protesta me synim rrëzimin e institucioneve, ndërsa thekson se as pushteti, as milionat dhe as e kaluara e luftës nuk mund të shërbejnë si mburojë përballë drejtësisë, përcjell “Bota sot”.

Geci insiston se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin dhe se pasuria e pajustifikueshme duhet të verifikohet pa dallime dhe privilegje.

 

Shkrimi i plotë

BYROJA PËR KONFISKIMIN E PASURISË PO I DRIDH MILIONERËT! PRITNI PROTESTAT: NË AKSION PËR TA RRËZUAR SHTETIN!

Nga drejtësia hyjnore tek drejtësia juridike: konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme në Kosovë është parësor nëse duam një shtet të së drejtës.

Zoti nuk e bën të drejtë padrejtësinë e njeriut.

Pushteti nuk e bën të ligjshme pasurinë e pajustifikuar.

Dhe titulli i çlirimtarit nuk e vë askënd mbi ligjin!

Vetë superfuqia e botës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e shpreh besimin në Zot përmes mesazhit të shkruar në monedhën e saj: “IN GOD WE TRUST” — “NE BESOJMË NË ZOT”.

Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, e miratuar me ligj dhe e dekretuar nga presidentja e Kosovës, përfaqëson një hap drejt drejtësisë që bashkon parimet hyjnore të Biblës dhe Kuranit me sundimin e ligjit në shtetet demokratike: askush mbi ligjin, askush i privilegjuar përballë drejtësisë!

Bibla dhe Kurani e vënë drejtësinë, ndershmërinë dhe respektimin e të drejtave të tjetrit në themel të moralit njerëzor.

Bibla na mëson: «Nuk do të vjedhësh» (Eksodi 20:15), ndërsa Kurani, në suren En-Nisa (4:29), ndalon përvetësimin e pasurisë së tjetrit padrejtësisht.

Këto nuk janë vetëm mësime fetare. Ato janë edhe parime morale që duhet të udhëheqin çdo shoqëri dhe çdo shtet që pretendon të ndërtojë drejtësi.

POR ÇFARË NDODH KUR PASURIA E NJERIUT KTHEHET NË MALL TË PUSHTETIT, NDËRSA LIGJI HARRON QYTETARIN?

Në Kosovë, qytetarët kanë dëgjuar për raste dhe ankesa të njerëzve që qanin e rrëfenin se, për shkak të kërcënimeve nga disa të ashtuquajtur çlirimtarë, ishin detyruar, kundër vullnetit të tyre, të hiqnin dorë nga shtëpitë dhe pronat e tyre, duke i shitur për shuma shumë më të vogla se vlera e tyre reale.

Sipas këtyre rrëfimeve, kërcënimet shkonin deri aty sa u thuhej:, Se ju luftën e keni parë në ekranet televizive ,për t’i frikësuar edhe më shumë, disa prej tyre etiketoheshin si spiunë dhe kërcënoheshin se, nëse donin të shpëtonin jetën, duhej t’i lëshonin shtëpitë dhe të largoheshin.

Kjo është edhe më e rënda: kur njeriu, në vend që të mbrohet nga ligji, detyrohet të zgjedhë mes pronës së tij dhe frikës për jetën.

Është e papranueshme që disa të ashtuquajtur gjeneralë të UÇK-së, pa shkollim të mirëfilltë, të cilët dikur mezi siguronin bukën e gojës dhe erdhën në pushtet me tlinat e shqyera në prapanicë e me opinga në këmbë, brenda një kohe të shkurtër të shndërroheshin në milionerë. Madje, për disa prej tyre pretendohet se kanë grumbulluar pasuri marramendëse, pa pasur burime të ligjshme që e justifikojnë një pasuri të tillë.

Kur pasuria nuk përputhet me të ardhurat e ligjshme, shteti ka detyrimin ta verifikojë prejardhjen e saj dhe, kur plotësohen kushtet ligjore, të ndërmarrë veprimet përkatëse.

Prandaj, Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është e domosdoshme për drejtësinë, njësoj siç është ajri për njeriun.

Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, pavarësisht pozitës, pushtetit apo së kaluarës së tij.

Pasuria e pajustifikueshme duhet të verifikohet, korrupsioni duhet të luftohet dhe pushteti duhet të fitohet me votën e lirë të qytetarëve, jo përmes pazareve dhe ambicieve për pushtet pa legjitimitet qytetar.

Nuk është patriotizëm të pasurohesh në kurriz të qytetarit. Nuk është çlirim të përvetësosh pasurinë publike. Dhe asnjë titull, qoftë gjeneral, komandant apo çlirimtar, nuk mund të jetë mburojë kundër ligjit.

LAVDIA E LUFTËS NUK ËSHTË LEJE PËR PASURIM TË PAJUSTIFIKUAR!

Ata që kanë luftuar për lirinë e Kosovës meritojnë respekt për sakrificën e tyre. Por respekti për çlirimtarët nuk nënkupton imunitet për askënd që mund të ketë shkelur ligjin. Sakrifica e një populli nuk mund të përdoret si pronë private dhe as si privilegj për të qëndruar mbi drejtësinë.

Pikërisht këtu merr rëndësi Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ligji për të cilin Kuvendi i Kosovës ka votuar dhe që synon të krijojë një mekanizëm për verifikimin e pasurisë së pajustifikueshme. Ligji u miratua në lexim të dytë më 29 tetor 2026, me 66 vota për, asnjë kundër dhe shtatë abstenime. Zbatimi i tij duhet të shoqërohet me respektimin e Kushtetutës dhe të drejtave të çdo personi.

Qëllimi nuk duhet të jetë hakmarrja politike, por vendosja e një standardi të barabartë për të gjithë: Kushdo që ka pasuri të pajustifikueshme duhet të japë llogari, ndërsa konfiskimi duhet të bëhet sipas ligjit dhe me vendim të gjykatës.

Kjo është pika ku drejtësia hyjnore takohet me drejtësinë shtetërore: jo për t’i zëvendësuar gjykatat me predikime fetare, por për t’i kujtuar shoqërisë se vjedhja, mashtrimi dhe padrejtësia nuk bëhen virtyte vetëm pse kryhen nga njerëz me pushtet.

Shteti nuk duhet të mjaftohet me miratimin e ligjeve. Ai duhet të dëshmojë se ligji zbatohet edhe ndaj të fuqishmëve, edhe ndaj milionerëve, edhe ndaj atyre që kanë mbajtur poste të larta, pa dallime partiake dhe pa përjashtime të privilegjuara.

NËSE LIGJI MBETET VETËM NË LETËR, PASURIA E PAJUSTIFIKUAR VAZHDON TË JETË FITIM, NDËRSA DREJTËSIA MBETET PREMTIM. ATY KU LIGJI NUK ZBATOHET, NUK I VJEN MË ERA SHTETI, POR E KRIMIT!

Prandaj, Kosova ka nevojë për zbatim të paanshëm të ligjit, hetime profesionale, prova të verifikueshme dhe vendime të drejta. Pasuria publike duhet të mbrohet, qytetarit duhet t’i garantohet prona e ligjshme, ndërsa çdo pasuri e pajustifikueshme duhet të trajtohet sipas procedurave të përcaktuara me ligj.

Në fund, as Bibla, as Kurani, as Kushtetuta dhe as ligjet e shtetit nuk duhet të përdoren si dekor për të fshehur padrejtësinë.

Drejtësia nuk kërkon hakmarrje. Kërkon të vërtetën, prova dhe përgjegjësi.

Kosova nuk ka nevojë vetëm për ligje të mira, por edhe për guximin që ato të zbatohen njësoj për të gjithë!