Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim të thellë për incidentet e dhunshme të raportuara në disa qendra votimi në Serbi, ku këtë të diel po mbahen zgjedhjet parlamentare.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Serbi, Andreas von Beckerath, ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social X, duke kërkuar qetësi dhe përmbajtje nga dhuna.
“Jemi thellësisht të shqetësuar për incidentet e dhunshme të raportuara në disa vendvotime. Qytetarët serbë duhet të kenë mundësi ta ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar në një mjedis paqësor dhe të sigurt”, ka shkruar ambasadori, sipas The Guardian.
Ai u ka bërë thirrje institucioneve serbe që të garantojnë sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në procesin zgjedhor.
“U bëjmë thirrje të gjithë aktorëve të ruajnë qetësinë, të veprojnë me përgjegjësi dhe të përmbahen nga dhuna dhe provokimet, ndërsa institucioneve kompetente të garantojnë sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në procesin zgjedhor”, ka deklaruar von Beckerath.
Për zhvillimet në Serbi ka reaguar edhe senatori republikan amerikan, Joe Wilson, i cili ka shprehur shqetësim për raportimet se autoritetet mund të përdorin dhunë kundër qytetarëve.
“Ndërsa qytetarët serbë po dalin në votime në numra historikë, jam thellësisht i shqetësuar nga raportimet se qeveria mund të jetë duke u përgatitur të përdorë dhunë ndaj qytetarëve, me synimin për të penguar procesin e votimit”, ka shkruar Wilson në platformën X.
Senatori amerikan ka theksuar se veprime të tilla do të ishin të papranueshme, duke bërë thirrje për ruajtjen e paqes gjatë procesit zgjedhor.
“Sulme të tilla janë krejtësisht të papranueshme. I bëj thirrje Serbisë të ruajë paqen!”, ka deklaruar Wilson.