Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u është drejtuar me një video-mesazh shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duke u bërë thirrje të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare që po mbahen sot në Serbi.
Kurti u ka kërkuar qytetarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës që të shfrytëzojnë kohën e mbetur për të votuar, duke theksuar rëndësinë e secilës votë për përfaqësimin politik të shqiptarëve.
“Të dashur qytetarë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, Ju që ende nuk keni votuar, ju ftoj ta ushtroni të drejtën tuaj. Shfrytëzojeni kohën e mbetur. Secila votë ka peshë për përfaqësimin dhe për të ardhmen tuaj”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka kërkuar mbështetje të drejtpërdrejtë për Koalicionin Shqiptar, që në këto zgjedhje garon me numrin 17.
“Përbashkimi në ‘Koalicionin Shqiptar’ kërkon sot pjesëmarrjen tuaj. Qëndresa ndaj diskriminimit dhe përkushtimi për barazi marrin forcë nga vullneti që shprehni në kutitë e votimit”, është shprehur ai.
Reklamë
Kurti u ka bërë thirrje shqiptarëve që të mobilizojnë edhe familjarët dhe miqtë për të marrë pjesë në procesin zgjedhor.
“Dilni e votoni. Ftojini edhe familjarët e miqtë tuaj që ta ushtrojnë këtë të drejtë”, ka deklaruar ai.
“Mbështeteni ‘Koalicionin Shqiptar’, numrin 17. Për një zë të fuqishëm dhe për mundësinë që secili e secila ta ndërtojë jetën në vendlindje”, ka përfunduar Kurti.