Prapaskena, emra të njohur të diplomacisë, premtime për koordinim dhe lidhje familjare. Këto janë disa prej zhvillimeve që po e shoqërojnë procesin e formimit të kabinetit të presidentes së re të Kosovës, Justina Shiroka-Pula. Burime të Gazetës Nacionale bëjnë të ditur se preferencat e fundit të presidentes kanë shkaktuar pakënaqësi në Partinë Demokratike të Kosovës, e cila kishte pritur një proces tjetër të përzgjedhjes së stafit.
Vetëm pak ditë pasi u zgjodh presidente e Kosovës, Justina Shiroka-Pula duket se është përfshirë në një proces jo fort të lehtë të formimit të kabinetit të saj.
Gjithçka kishte filluar me emërimin e Berita Abazit, ish-shefes së stafit të Albulena Haxhiut dhe asamblistes së Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, në pozitën e shefes së stafit të presidentes.
Si nisi gjithçka?
Ky veprim kishte shkaktuar reagime të shumta, përfshirë pakënaqësi në mesin e PDK-së, partisë që e kishte mbështetur zgjedhjen e Shiroka-Pulës presidente.
Megjithatë, sipas burimeve të Nacionales, presidentja kishte ndërhyrë për t’i qetësuar reagimet, duke u dhënë siguri përfaqësuesve të PDK-së se emërimet e para ishin vetëm të përkohshme.
Ajo, sipas këtyre burimeve, kishte lënë të kuptohej se emërimet përfundimtare do të bëheshin në bashkëpunim dhe koordinim me PDK-në.
Pikërisht pas këtyre komunikimeve kishin filluar të diskutoheshin disa emra që mund të bëheshin pjesë e kabinetit presidencial.
Petrit Selimi dhe Bernard Nikaj, dy emrat e diplomacisë
Gazeta Nacionale mëson se dy prej figurave më interesante që kishin shprehur interesim për t’u angazhuar në kabinetin e presidentes ishin Petrit Selimi dhe Bernard Nikaj.
Selimi është ish-zëvendësministër i Punëve të Jashtme të Kosovës, i cili kishte shërbyer në këtë pozitë gjatë periudhës së qeverisjes së Hashim Thaçit.
I njohur për angazhimin e tij në diplomacinë publike, Selimi ka krijuar ndër vite kontakte të shumta në qarqet ndërkombëtare politike dhe mediatike. Ai njihet edhe si një figurë e afërt me ish-presidentin Hashim Thaçi.
Në anën tjetër, Bernard Nikaj është një tjetër emër me përvojë të gjatë në institucionet e Kosovës dhe në diplomacinë ndërkombëtare.
Nikaj, ish-ambasador i Kosovës në Bruksel, ka njohuri të thella për funksionimin e institucioneve të Bashkimit Evropian dhe për dinamikat e marrëdhënieve Kosovë–BE.
Ai gjithashtu konsiderohet i afërt me figura të rëndësishme të PDK-së.
Megjithatë, as Selimi dhe as Nikaj nuk njihen si militantë klasikë partiakë. Të dy kanë ndërtuar profile profesionale edhe jashtë strukturave të PDK-së.
Sipas burimeve, interesimi i tyre nuk përbënte domosdoshmërisht propozim zyrtar të partisë, por emra të tillë do të mund të gëzonin mbështetjen e saj.
Zana Aqifi merr fillimisht dritën e gjelbër
Ndërkohë, në diskutimet për pozitën e shefes së stafit kishte hyrë edhe një emër tjetër: Zana Aqifi.
Aqifi, sipas burimeve të Nacionales, nuk është e identifikuar publikisht si figurë partiake.
Reklamë
Burimet bëjnë të ditur se emri i saj kishte depërtuar deri te presidentja dhe se, në një fazë të diskutimeve, Justina Shiroka-Pula kishte dhënë pëlqimin që Aqifi të bëhej shefe e stafit të saj.
Ky zhvillim ishte pritur si një zgjidhje e mundshme edhe nga njerëzit e PDK-së, të cilët kishin pritur që presidentja të respektonte zotimin për koordinim.
Por, pikërisht kur dukej se kjo çështje po merrte drejtim, në skenë kishte hyrë një emër i ri.
Teuta Rexhepi, lidhja familjare dhe ndryshimi i preferencës
Burime të Nacionales bëjnë të ditur se presidentja Shiroka-Pula kishte sjellë në diskutim edhe emrin e Teuta Rexhepit.
Sipas këtyre burimeve, Rexhepi ka lidhje familjare me bashkëshorten e djalit të presidentes.
Kjo lidhje e bën edhe më interesant ndryshimin e fundit në procesin e përzgjedhjes, veçanërisht duke marrë parasysh se presidentja paraprakisht kishte shprehur pëlqimin për Zana Aqifin.
Në momentet e fundit, sipas burimeve, presidentja i ka njoftuar palët e interesuara se preferenca e saj për pozitën e shefes së stafit është Teuta Rexhepi, ndërsa Zana Aqifi do të mund të emërohej zëvendësshefe e stafit.
Ky ndryshim nuk ka qenë skenari që kishin pritur njerëzit e PDK-së.
Burimet thonë se zhvillimi ka shkaktuar pakënaqësi, sidomos për faktin se presidentja kishte premtuar koordinim përpara marrjes së vendimeve përfundimtare.
Ende nuk është e qartë nëse kjo formulë do të formalizohet me vendime përfundimtare dhe çfarë do të ndodhë me personat që janë angazhuar në kabinetin presidencial gjatë ditëve të para.
Po ashtu, mbetet e paqartë nëse lidhja familjare e Rexhepit me familjen e presidentes ka pasur ndonjë ndikim në preferencën e shprehur nga Shiroka-Pula.
Presidentja mes pavarësisë institucionale dhe pritjeve të PDK-së
Në gjithë këtë histori ekziston edhe një çështje tjetër.
Presidentja e Kosovës nuk ka detyrim t’ia nënshtrojë emërimet e stafit të saj ndonjë partie politike, përfshirë PDK-në.
Përkundrazi, ajo duhet të veprojë në mënyrë të pavarur dhe të ndërtojë ekipin që e konsideron më të përshtatshëm për ushtrimin e mandatit të saj.
Mirëpo, ajo që po shkakton pakënaqësi, sipas burimeve, nuk është vetëm preferenca për një kandidat tjetër, por mënyra se si kanë evoluar komunikimet dhe pritjet gjatë këtij procesi.
Nga emërimet fillestare të njerëzve të lidhur me LVV-në, te premtimet për koordinim me PDK-në dhe më pas te preferenca për një person që, sipas burimeve, ka lidhje familjare me familjen e saj, procesi i formimit të kabinetit presidencial ka marrë disa kthesa brenda një periudhe shumë të shkurtër.
Tash mbetet të shihet nëse presidentja Shiroka-Pula do t’i formalizojë këto preferenca dhe si do të reagojë PDK-ja ndaj një zhvillimi që, sipas burimeve të Nacionales, nuk është pritur mirë në radhët e saj.