Në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, më 19 janar 2000, Ekrem Rexha – Komandant Drini, deklaroi se Prizreni ishte çliruar pa pëlqimin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Ai kritikoi gjithashtu mungesën e vendosmërisë në Mitrovicë, duke ngritur një pyetje që mbetet aktuale edhe pas 27 vjetësh: A mund të ishte shmangur ndarja e qytetit? Tre muaj e 19 ditë pas kësaj interviste, Drini u vra në Prizren.
Deklarata e Ivica Daçiqit, më 7 tetor 2026, në një tubim elektoral në Rashkë, se “herët a vonë flamuri serb do të valëvitet mbi Prizren”, ka rikthyer në vëmendje pretendimet e Beogradit ndaj Kosovës.
Por kjo deklaratë sjell në kujtesë edhe një histori nga qershori i vitit 1999, të cilën vetë njëri prej komandantëve të UÇK-së e rrëfeu publikisht vetëm shtatë muaj pas përfundimit të luftës.
Më 19 janar 2000, gazeta “Bota sot” botoi intervistën ekskluzive me Ekrem Rexhën – Komandant Drinin, me titullin:
“Prizrenin e kemi çliruar pa urdhër të Shtabit të Përgjithshëm”.
Intervista u paralajmërua edhe në ballinën e gazetës. Ajo përmbante një dëshmi të drejtpërdrejtë për vendimet ushtarake në Prizren dhe një kritikë ndaj mënyrës se si ishte vepruar në Mitrovicë.
Prizreni u çlirua pa pëlqimin e Shtabit të Përgjithshëm
Më 9 qershor 1999, Marrëveshja e Kumanovës përcaktoi tërheqjen me faza të forcave jugosllave dhe serbe nga Kosova, brenda 11 ditëve. Ndërkohë, KFOR-i po përgatitej të hynte në territorin e Kosovës.
Në ato ditë vendimtare, sipas dëshmisë së Komandant Drinit, ekzistonte rreziku që forcat serbe të shkaktonin shkatërrime dhe viktima të tjera në Prizren përpara tërheqjes.
Drini vendosi të ndërmerrte veprime ushtarake pa pritur miratimin e Shtabit të Përgjithshëm.
Në intervistën për “Bota sot”, ai deklaronte:
“Plani për çlirimin e Prizrenit është bërë pa pëlqimin e Shtabit të Përgjithshëm”.
Vendimin e shpjegonte me përgjegjësinë që ndiente ndaj qytetit dhe popullsisë së tij.
“Si shqiptar dhe si prizrenas nuk munda të qëndroj duarkryq dhe ta shoh nga shpati shkatërrimin e qytetit”, shprehej ai.