E fundit! Gani Geci tentoi të hynte në studiot e Dukagjinit derisa ne emision ishte Lirim Mehmetaj?

Në fund të emisionit “Debat Plus” në RTV Dukagjini, moderatori i emisionit Ermal Panduri iu drejtua gazetarit Lirim Mehmetaj duke i thënë se disa persona po i prisnin “te reforma”

 

Në kohën kur po zhvillohej emisioni i mbrëmjes, ku po merrnin pjesë edhe gazetari Lirim Mehmetaj dhe deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, moderatori Panduri tha se po qarkullonin video të personave që po i prisnin jashtë.

“Na kanë dalë te reforma do. Po na qarkullojne video qe jane duke na prit te reforma”, ka thënë moderatori në fund të emisionit.

Siç mëson Nacionale nga burime, bëhet fjalë për Gani Gecin, i cili ka qëndruar afër televizionit RTV Dukagjini.

Ngjarja vjen vetëm disa orë pas një mospajtimi që u bë i ditur mes Gani Gecit dhe gazetarit Lirim Mehmetaj.

Mospajtimi dyshohet se nisur pas një postimi të gazetarit Mehmetaj për deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, i cili kishte bërë deklarata të rënda për ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-krerët e UÇK-së.

Në këtë përplasje ishte përfshirë edhe Gani Geci, i cili gjatë ditës së hënë pretendoi për një marrëveshje pajtimi mes familjes së tij dhe asaj të gazetarit Mehmetaj.

Përmes një postimi në Facebook, Geci pretendoi se, me ndërmjetësimin e deputetit Anton Quni dhe Fadil Hadërgjonajt, ishte zhvilluar një takim në restorantin “Garden”.

Pas njoftimit për pajtim, gazetari Mehmetaj kishte reaguar në Facebook, duke bërë të qartë se nuk kishte ndërmend ta largonte postimin e tij për deputetin Fatos Geci.

“Këtij postimi e asnjë postimi tim tjetër nuk do t’i hiqet kurrë asnjë shkronjë”, kishte shkruar Mehmetaj.

Gazetari Mehmetaj këmbëngulI se postimi i tij ishte i vërtetë dhe se do të vazhdonte t’i kritikonte publikisht personat që, sipas tij, gënjejnë dhe mashtrojnë qytetarët.

Paralajmërimi i moderatorit se disa persona po i prisnin jashtë studiove ka ardhur në kohën kur Gani Geci ishte afruar pranë ambienteve të RTV Dukagjinit. Në një video të publikuar në TikTok, Geci qëndron në veturë dhe dëgjohet duke thënë, ndër të tjera, se “nuk kam punë me policinë”.