Gazetari Lirim Mehmetaj ka reaguar ashpër ndaj deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, lidhur me një deklaratë të këtij të fundit për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, duke e akuzuar për 244 vrasje.
Mehmetaj, përmes një postimi publik, ka kundërshtuar shifrën e përmendur nga Geci, duke pretenduar se një akuzë e tillë nuk është ngritur as nga Gjykata Speciale dhe as nga Serbia.
Gazetari ka përdorur gjuhë të ashpër ndaj deputetit të Vetëvendosjes, duke e kritikuar për mënyrën e artikulimit dhe për deklaratën që, sipas tij, është e rëndë dhe e dëmshme në raport me figurën e ish-presidentit Thaçi.
Në reagimin e tij, Mehmetaj ka drejtuar kritika edhe ndaj partisë së Gecit, duke vënë në pikëpyetje qëndrimin e saj ndaj deklaratave të deputetit. Ai ka kërkuar që Vetëvendosje të distancohet nga gjuha e përdorur, duke theksuar se heshtja e partisë, sipas tij, ngre pikëpyetje për qëndrimin e saj politik.
Mehmetaj ka ngritur gjithashtu çështjen e strategjisë së mundshme për lobim ndërkombëtar në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë, duke argumentuar se deklaratat e tilla mund ta vështirësojnë një përpjekje të tillë.
Në fund të reagimit, gazetari ka kritikuar ashpër Vetëvendosjen, duke vënë në dyshim se si mund të ndërtohet një strategji efektive për lobim ndërkombëtar nëse brenda partisë nuk ka distancim nga deklarata të tilla.