Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar ndaj deklaratës së zëvendëskryeministrit serb, Ivica Daçiç, se “herët a vonë flamuri serb do të valvitet mbi Prizren”, si dhe ndaj shfaqjes publike të Milan Radoiçiqit në tubimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, në Kragujeva.
Përmes një reagimi në rrjetin social X, Konjufca thotë se ambiciet territoriale të Serbisë ndaj Kosovës janë dëshmuar sërish, duke theksuar se një retorikë e tillë tregon se synimet e Beogradit nuk i përkasin vetëm së kaluarës.
“Ambiciet e ripërtërira territoriale të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës u shfaqën hapur edhe një herë këtë javë, kur zëvendëskryeministri i saj, Ivica Daçiç, deklaroi në një tubim zgjedhor se flamuri serb “herët a vonë do të valëvitet mbi Prizren”, një qytet në jug të Kosovës. Një retorikë e tillë dëshmon se ambiciet territoriale të Beogradit janë larg së qenit një çështje e së kaluarës. Vetëm dy ditë më vonë, Milan Radoiçiç – i cili kërkohet nga Interpoli për shkak të sulmit terrorist në Banjskë që ai e organizoi – u shfaq krah Danilo Vuçiqit në tubimin e partisë së Aleksandar Vuçiçit në Kragujevc; aty, Vuçiçi kërcënoi sërish pavarësinë e Republikës së Kosovës. Këto nuk janë provokime të izoluara. Ato nxjerrin në pah vazhdimësinë e një doktrine të rrezikshme politike: ekspansionizmin territorial në retorikë dhe pandëshkueshmërinë për agresion të armatosur në praktikë. Serbia nuk mund të pretendojë se synon paqen dhe integrimin evropian, ndërkohë që zyrtarët e saj të lartë sfidojnë hapur sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe organizatori i pranuar i sulmit vdekjeprurës terrorist në Banjskë mbetet i lirë, duke u shfaqur publikisht krah familjes së presidentit në vend që të përballet me drejtësinë. Komuniteti ndërkombëtar duhet t’i dënojë pa mëdyshje këto veprime dhe të kërkojë llogaridhënie. Sovraniteti i Republikës së Kosovës nuk është i negociueshëm, e po ashtu as drejtësia për sulmin terrorist në Banjskë”, shkruan Konjufca.(INA)