Të gjithë prisnin penallti te Shqipëria në minutën e 79-të, kur Myrto Uzuni u rrëzua në zonën e Finlandës. Gjyqtari Rob Henesi nuk kishte të njëjtin mendim, ndërsa çuditi kuqezinjtë duke akorduar simulim dhe karton të verdhë për Uzunin.
Kontrolli nga ana e VAR zgjati rreth 1 minutë, teksa mbeti në fuqi vendimi i fushës. “Panorama Sport” sjell sqarimin e plotë të episodit në fjalë ku rezulton se është akorduar goditje e lirë indirekte për simulim dhe jo pozicion jashtë loje. Një konfuzion që u krijua nga ngritja e dorës së gjyqtarit, i cili të paktën në këtë sinjalizim rezulton se ka vepruar saktë.
SHPJEGIMI- Jo të gjithë e dinë se ngritja e dorës nga gjyqtari irlandez ishte konfirmimi për simulim, duke qenë se ekipi kundërshtar fiton goditje të lirë indirekte. Për këtë edhe lindën dyshime nga ngritja e dorës, nëse ishte akorduar pozicion jashtë loje nga VAR. Në fokus për pozicionin e tij nuk ishte Uzuni, por Mirlind Daku. Megjithatë ky i fundit nuk pati ndikim në aksion.
Në fakt episodi u gjykua vetëm për penallti nga VAR. Më pas erdhi sinjalizimi i kryesorit që mbetet vendimi i fushës. Pikërisht ngritja e dorës është sinjalizimi i saktë nga gjyqtari, pasi VAR konfirmoi se episodi gjykohet si simulim.
DETAJE- Nëse do të kishte pozicion jashtë loje dhe jo simulim, gjyqtari nuk do e drejtonte dorën te vendi ku u rrëzua Uzuni por jashtë zonës ku do të supozohej pozicioni jashtë loje. Për më tepër që episodi u pa nga VAR vetëm për penallti siç edhe u tregua gjatë transmetimit nga UEFA.
Kështu një ndërhyrje tjetër në episod të tillë, siç është pozicioni jashtë loje, do të kishte nevojën e interpretimit të gjyqtarit kryesor. Ky i fundit nuk u thirr për të parë sërish pamjet, duke qenë se skocezët e dhomës VAR e menduan po ashtu simulim. Në aq pak kohë sa VAR konsumoi, mund të gjykohej vetëm simulimi i akorduar. Për pozicion jashtë loje të Dakut do të kishte edhe shenjat grafike që e tregonin, duke qenë se minuta të mbetura kishte shumë./panorama