Një moment i veçantë është kapur në Beograd, ku një i ri shqiptar është filmuar duke kënduar këngën “Kosovë ngrite zanin”, në vargje që lidhen me mbështetjen për çlirimtarët që ndodhen në Hagë.
Në pamjet që po qarkullojnë, i riu shihet duke kënduar me zë të lartë, ndërsa në një moment bën edhe simbolin e shqiponjës dykrenare me duar.
Kjo paraqitje vjen në një periudhë kur çështja e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë ka marrë vëmendje të madhe, ndërsa në Kosovë dhe në mesin e shqiptarëve janë zhvilluar protesta dhe aktivitete në mbështetje të tyre. Këngët kushtuar UÇK-së dhe ish-krerëve të saj janë përdorur edhe më herët si formë shprehjeje dhe mbështetjeje.
Pamjet nga Beogradi kanë tërhequr vëmendjen pikërisht për shkak të vendit ku janë realizuar, ndërsa momenti i këngës dhe simboli i shqiponjës janë bërë pjesë e videos që po shpërndahet në rrjetet sociale.