Eskalon situata, vjen paralajmerimi i rende per Albin Kurtin

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka paralajmëruar protestë para Kuvendit të Kosovës të hënën, më 5 tetor, në orën 12:00. Kryeministrit Albin Kurti i ka dhënë afat deri të dielën që të arrihet marrëveshje për ndryshimet e Ligjit për Gjykatën Speciale.

 

Paralajmërimi erdhi në një postim në Facebook, ku organizata e fajëson Kurtin për dështimin e bisedimeve.

“Pas dështimit të arritjes së një marrëveshjeje politike për votimin e menjëhershëm të plotësimit dhe ndryshimit të Ligjit për Gjykatën Speciale, si dhe pas lojës së vazhdueshme politike e procedurale të Albin Kurtit me një çështje kaq të ndjeshme, durimi i veteranëve të UÇK-së dhe i qytetarëve të Kosovës po merr fund”, thuhet në postim.

 

Veteranët kërkojnë që ligji të votohet menjëherë në të dy leximet. Ata thonë se do të presin vetëm një ditë.

“Afati për arritjen e një marrëveshjeje politike dhe procedurale që do të mundësonte votimin e menjëhershëm të të dy leximeve të plotësimeve dhe ndryshimeve të Ligjit për Gjykatën Speciale, për veteranët e UÇK-së është vetëm deri nesër, e diel.”

Nëse nuk ka marrëveshje, organizata paralajmëron se do të vijojë edhe pas protestës.

“Nëse deri nesër nuk ka dakordim, nga e hëna veteranët e UÇK-së do t’i përshkallëzojnë veprimet e tyre.”

Kritika më e ashpër i drejtohet vetë Kurtit, të cilin veteranët e akuzojnë se po përfiton politikisht nga plagët e luftës.

“Kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së janë thellësisht të indinjuara me qasjen e z.Kurt, i cili po bënë kalkulime politike edhe me dhimbjen, sakrificën dhe dinjitetin e qytetarëve të Kosovës.”

Sipas organizatës, qeveria po e zvarrit një çështje që prek drejtpërdrejt jetën e shumë njerëzve.

“Ky pushtet, në vend që të dëgjojë zërin e qytetarëve dhe ta adresojë qartë këtë çështje, po vazhdon të shtyjë, të kalkulojë dhe të abuzojë politikisht me një çështje që prek drejtpërdrejt mijëra familje dhe njerëz që bartin plagët e luftës.”

Organizata i fton të gjithë qytetarët që t’u bashkohen veteranëve para Kuvendit.

“Të hënën, në ora 12:00, ju ftojmë të gjithëve para Kuvendit të Kosovës.”