Mediat zvicerane i bëjnë jehonë heroit shqiptarë ! Hyri në veturën në flakë për të shpëtuar katër të rinj

Një aksident i rëndë në Wohlen të kantonit Aargau ka marrë vëmendje të gjerë në mediat zvicerane, pasi disa kalimtarë, në mesin e tyre edhe kosovari Ajdin Limoni, ndërhynë për të shpëtuar katër të rinj të bllokuar në një veturë që ishte përfshirë nga zjarri, transmeton albinfo.ch.

 

Ngjarja ndodhi të mërkurën, më 30 shtator, rreth orës 20:45 në Alte Bremgarterstrasse. Një Fiat Punto me katër persona brenda doli nga rruga në një kthesë dhe u përplas me një pemë. Pak çaste më vonë, vetura u përfshi plotësisht nga flakët.

 

Tele M1 ka raportuar gjerësisht për ndërhyrjen e 53-vjeçarit nga Kosova, i cili në momentin e aksidentit ndodhej duke kaluar pranë vendit të ngjarjes. Limoni ka treguar se fillimisht kishte parë një dritë të fortë dhe kishte menduar se mund të ishte duke u djegur ndonjë shkurre. Kur iu afrua, kuptoi se bëhej fjalë për një veturë të aksidentuar dhe njerëz të bllokuar brenda saj.

Sipas 20 Minuten, Limoni reagoi menjëherë dhe u afrua drejt automjetit, pavarësisht se flakët ishin shumë të mëdha. Ai ka treguar se brenda veturës pa tre persona pa vetëdije, ndërsa një vajzë ishte ende e vetëdijshme dhe kërkonte ndihmë. Sipas rrëfimit të tij, ajo i kishte thënë: “Më ndihmo, po vdes”.

Limoni u bëri thirrje edhe kalimtarëve të tjerë që të ndërhynin dhe të ndihmonin në nxjerrjen e të rinjve nga vetura. Për t’i liruar ata nga rripat e sigurimit, kërkoi edhe një thikë, ndërsa personat e shpëtuar u larguan sa më shpejt nga automjeti që po digjej.