Endrit Thaçi ka një ‘Selam’ per kete person te fuqishem ne Amerike

Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka shpërndarë në profilin e tij në Instagram një pjesë të fjalimit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, të mbajtur gjatë një mbrëmjeje gala në New York.

 

Në fjalimin e tij, Rama u ndal te Hashim Thaçi dhe procesi në Dhomat e Specializuara në Hagë, duke përdorur tone të forta ndaj mënyrës se si, sipas tij, Shtetet e Bashkuara dhe ish-presidenti Joe Biden ishin sjellë ndaj ish-presidentit të Kosovës.

Rama deklaroi se Thaçi ishte “tradhtuar”, duke e lidhur këtë qëndrim edhe me raportin që ai kishte pasur ndër vite me Shtetet e Bashkuara dhe me Joe Bidenin. Ky është vlerësim politik i Ramës dhe jo një konstatim institucional.

 

“Ky vend e tradhtoi. Sepse Joe Biden, që e emërtoi Xhorxh Uashingtonin e Kosovës, e tradhtoi. Edhe pse gjenerali Clark dhe disa njerëz bënë më të mirën, ky vend nuk bëri më të mirën për Hashim Thaçin”, deklaroi Rama gjatë fjalimit në New York.

Kryeministri shqiptar argumentoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara mund të kishin bërë më shumë lidhur me procesin ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Edhe këtë proces Rama e kritikoi ashpër, duke e cilësuar atë si “farsë”.

Fjalimi ka marrë vëmendje shtesë pasi Endrit Thaçi vendosi ta shpërndajë në llogarinë e tij në Instagram. Mediat kosovare kanë raportuar se pikërisht pjesa ku Rama flet për Hashim Thaçin dhe Joe Bidenin është shpërndarë nga djali i ish-presidentit.

Deklaratat e Ramës vijnë pas aktgjykimit të shkallës së parë të 16 shtatorit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Katër ish-krerëve të UÇK-së iu shqiptuan dënime që së bashku arrijnë në 81 vjet burgim. Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe procesi mund të vazhdojë në procedurën e apelit.