Dardan Krasniqi ia publikon përseri videon Gani Gecit – Ja çfarë shkruan tani

Dardan Krasniqi ka reaguar sërish lidhur me videon dhe zhvillimet e fundit, duke bërë të ditur se tashmë e ka pranuar versionin e plotë të videos që ishte bërë pjesë e debatit publik.

 

Krasniqi ka thënë se nuk dëshiron të bëjë lajme që, sipas tij, kanë për qëllim përbaltjen apo deformimin e së vërtetës, ndërsa ka publikuar edhe videon e plotë, duke u bërë thirrje qytetarëve që ta shikojnë atë dhe të nxjerrin vetë përfundimet.

“Tash e pranova videon e plotë! Nuk bëj lajme për përbaltje, as për ta deformuar një terren që tashmë është i tillë!”, ka shkruar Krasniqi.

Ai u ka bërë thirrje shqiptarëve që të mos shpifin dhe të mos krijojnë të pavërteta lidhur me atë që kishte publikuar dhe më pas tërhequr.

“Këmbët, trupi dhe mendja ime veç mbi të vërtetën qëndrojnë!”, ka deklaruar ai.

Krasniqi ka treguar edhe për një komunikim që, sipas tij, e ka pasur me Shpat Nezirin nga Mitrovica. Ai thotë se Neziri e ka kontaktuar rreth orës 13:45 dhe i ka thënë fillimisht “qenke i lig”, ndërsa më pas, sipas Krasniqit, i ka thënë: “Të njoh si njeri parimor”.

Sipas Krasniqit, Neziri i ka bërë me dije se materiali që ishte shpërndarë ishte i shkëputur nga tërësia e videos.

“Edhe unë vetë kam qenë viktimë e videove të tilla me manipulime, të shkëputura dhe të shpifura. Prandaj, nuk ia bëj askujt atë që nuk do të ma bënin mua”, ka shkruar ai.

Në reagimin e tij, Krasniqi ka theksuar se videoja e plotë tashmë është në dispozicion të publikut dhe se secili mund ta shikojë atë për të krijuar bindjen e vet.

“Këtu e keni videon e plotë. Shikojeni të gjithën dhe nxirrni vetë përfundimin”, ka shkruar ai.

Ai ka mohuar gjithashtu se është dorëzuar përballë presioneve, shantazheve apo kërcënimeve, duke deklaruar se nuk ka pasur diçka të tillë.

“Nuk jam kockë që dorëzohem ndaj të vërtetës! As që shantazhohem e as që pranoj frikë nga kërcënimet!”, ka shkruar Krasniqi.

Në fund të reagimit, ai ka bërë edhe një deklaratë lidhur me Gjykatën Speciale, duke shprehur qëndrimin e tij se ajo është krijuar mbi bazën e narrativave, shpifjeve dhe propagandës.

Deklaratat e Krasniqit vijnë në një kohë kur në rrjetet sociale po qarkullojnë reagime dhe materiale të ndryshme lidhur me përplasjet e fundit publike dhe interpretimet e videove të publikuara.