Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar shkollën publike amerikane P.S. 108 Philip J. Abinanti në Bronx të New Yorkut, ku për të dytin vit akademik po zbatohet programi dygjuhësh anglisht-shqip.
Kurti e cilësoi këtë program si një arritje të rëndësishme të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe theksoi rëndësinë e ruajtjes dhe kultivimit të gjuhës shqipe te brezat e rinj në mërgatë.
Gjatë vizitës, Kurti foli për historinë e ruajtjes së gjuhës shqipe ndër breza, duke përmendur edhe Arbëreshët e Italisë, si dhe rolin e rilindësve shqiptarë dhe diasporës në zhvillimin e gjuhës, kulturës dhe arsimit shqiptar.
Ai tha se mbështetja për iniciativa të tilla do të vazhdojë edhe në të ardhmen, ndërsa gjatë vizitës u shpërndau nxënësve abetare, fletore pune dhe libra leximi.
Kurti falënderoi për këtë nismë Mark Gjonajn dhe Drita Gjongecajn, si dhe drejtoren e shkollës, Stefania Cedrola Mustafa, duke u uruar nxënësve mbarësi në mësimet e tyre.