Alban Krasniqi: Nëse ndërkombëtarët ju tradhtuan, tregoni çfarë marrëveshjeje kishit për Specialen

Alban KRasniqi ka reaguar ndaj deklaratave se ndërkombëtarët i kanë “mashtruar” apo “tradhtuar” ata që e mbështetën krijimin e Gjykatës Speciale, duke kërkuar sqarime se çfarë marrëveshjeje apo garancie kishte ekzistuar në atë kohë.

 

“Po thonë se ndërkombëtarët i paskan mashtru dhe tradhëtu, sepse nuk qenkan marrë vesh kështu. E qysh qenkeni marrë vesh kur e shtytë para dhe votuat Gjykatën Speciale, e cila e ka bërë punën e saj qashtu qysh ja keni dhanë besimin edhe pse ju lusnim ‘aman mos e votoni’?!”, ka shkruar Krasniqi.

Ai ka pyetur nëse kishte ndonjë marrëveshje apo garanci që nuk është bërë publike.

 

“Cila paska qenë marrëveshja dhe garancia e fshehur që nuk po ia tregoni qytetarëve? Pse po i servoni publikut gjysmë të vërteta dhe kurrë të vërtetën e plotë?”, ka pyetur ai.

Krasniqi ka paralajmëruar se mënyra se si po trajtohet kjo çështje mund të ketë pasoja më të gjera politike dhe shoqërore.

“A e kuptoni që kjo lojë e ndytë atëherë dhe tash me historinë, vlerat dhe sentimentin qytetar për UÇK-në mundet me i kushtu shtrenjtë shtetit, gjashtëshes së dënuar dhe të ardhmes së kombit tonë?!”, ka shkruar Krasniqi.