“Tash mund të të them: Prehu në paqe, shoq” – reagon miku i Behajdin Allaqit pas aktgjykimit në Hagë

Agim Memaj ka reaguar me një mesazh emocional për mikun e tij Behajdin Allaqi, duke shprehur dhimbjen dhe shpresën që një ditë të gjenden varri dhe eshtrat e tij.

 

Agim Memaj, i cili e përshkruan Behajdin Allaqin si shokun e tij, ka reaguar me një mesazh emocional pas zhvillimeve të fundit në Hagë.

“Tash mund të të them ‘Prehu në paqe, shoq!’”, ka shkruar Memaj në Facebook.

 

Në reagimin e tij, ai e kujton Allaqin si njeri të urtë, të thjeshtë, të mençur, vizionar, veprimtar dhe atdhetar, ndërsa i ka shprehur ngushëllime familjes së tij.

Memaj ka shprehur gjithashtu shpresën që familja të mund ta përballojë dhimbjen dhe që, me ndihmën e Shteteve të Bashkuara, të gjenden varri dhe eshtrat e Behajdin Allaqit.

Reagimi vjen pas aktgjykimit të shkallës së parë të shpallur më 16 shtator nga Dhomat e Specializuara të Kosovës. Në përmbledhjen e aktgjykimit, Trupi Gjykues bëri konstatime lidhur me arrestimin, ndalimin, transferimin dhe vrasjen e Behajdin Allaqit. Aktgjykimi nuk është i formës së prerë dhe mund të apelohet.

Behajdin Allaqi, veprimtar nga Prizreni, ishte zhdukur në qershor të vitit 1998 dhe mbetjet e tij nuk janë gjetur.