Publicisti Veton Surroi ka bërë një analizë të aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, duke theksuar se vendimi i sotëm është vetëm i shkallës së parë dhe se beteja juridike do të vazhdojë në Apel.
Surroi nënvizon si pikë të rëndësishme faktin se Gjykata nuk i shpalli fajtorë për krime kundër njerëzimit, pasi Prokuroria nuk arriti të provonte përtej dyshimit të arsyeshëm ekzistencën e një sulmi të përhapur ose sistematik të drejtuar kundër një popullsie civile. Katër të akuzuarit u shpallën fajtorë për krime lufte, përfshirë ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje.
“As UÇK-ja e as Kosova nuk mund ta marrin mbi vete këtë barrë fajësie”, shkruan Surroi, duke argumentuar se aktgjykimi vendos përgjegjësi penale individuale dhe nuk e kriminalizon synimin për pavarësinë e Kosovës.
Ai e krahason gjithashtu rastin me proceset e ish-zyrtarëve të lartë serbë para Tribunalit për ish-Jugosllavinë, ku ishin provuar krime kundër njerëzimit ndaj popullsisë shqiptare. Sipas Surroit, ky dallim është i rëndësishëm për mënyrën se si duhet lexuar historikisht vendimi.
Megjithatë, ai ngre edhe një pikëpyetje për proporcionalitetin e dënimeve, duke theksuar se Thaçi dhe Krasniqi morën nga 25 vjet burg, ndërsa Veseli 18 dhe Selimi 13.
Mesazhi kryesor i Surroit është se Kosova nuk duhet ta interpretojë aktgjykimin si dënim të UÇK-së apo të luftës për pavarësi.
“Dënimi i individëve për veprime kriminale nuk mund t’i atribuohet UÇK-së në tërësi, të ndryshojë rolin e saj historik në çlirimin e vendit apo të njollosë pavarësinë e Kosovës”, shkruan ai.
Surroi përfundon se “lufta e drejtë” e UÇK-së si e vërtetë historike dhe morale nuk është zhbërë nga ky aktgjykim, ndërsa thekson se viktimat dhe përgjegjësia individuale duhet të trajtohen veçmas nga historia e përgjithshme e çlirimit.